Saturday, 12. September 2026
Sport

Elbasani-Egnatia në RTSH, Gvozdenoviç: Të flasim më pak jashtë fushe dhe më shumë në fushë

GS 12/09/2026 2 Min. Lesezeit

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Egnatias, që do të luhet nesër në orën 18:30 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet në RTSH. Tekniku i verdhebluve është optimist në prag të kësaj sfide dhe beson se skuadra e tij do të marrë maksimumin e pikëve përballë kryesuesve të Egnatias.

“Energjia është e mirë, jam optimist. Kam një besim të madh. Jemi gati për nesër. Situata është e mirë brenda skuadrës. Kemi një pikëpyetje për Hebaj, por sot bashkë me stafin mjekësor do të vendosim për nesër. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne e dimë situatën dhe do të luftojmë shumë fort në fushë për të marrë pikë.

Kemi respekt për çdo kundërshtar. Edhe për Egnatian, që është në vend të parë me pikë të plota. Ata janë një skuadër shumë e mirë, shumë e fortë. Ata janë favoritë në letër, por fusha është tjetër gjë. Ne jemi përgatitur për fushën, do bëjmë maksimumin dhe unë besoj se do të dalim mirë dhe mund të fitojmë ndeshjen.

Kishim nevojë për tifozët tanë dhe ky është lajm i mirë për ne, që tifozët do të jenë në stadium. Të gjitha do ti tregojë fusha. Më mirë të flasim më pak jashtë fushe dhe më shumë në fushë. Ky është motivi ynë dhe një mesazh për lojtar: të gjithë bashkë të flasim më shumë në fushë”, ka thënë mes të tjerash Gvozdenoviç.

Teilen: