Saturday, 12. September 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Teuta mund Vorën dhe ngjitet në krye të renditjes

GS 12/09/2026 2 Min. Lesezeit

Teuta ka mundur 2-0 Vorën në “Niko Dovana” dhe falë këtij suksesi momentalisht ngjitet e vetme në krye të renditjes në kuotën e 10 pikëve. Umejiego në pjesën e parë dhe Pedro në të dytën shënojnë për durrsakët.

Ndeshja e transmetuar në RTSH Sport ka qenë e bukur dhe e luftuar, por nuk kanë munguar edhe protestat e miqve për penalltinë e akorduar në fundin e ndeshjes.

Teuta shfaqet më kërkues në fillimin e ndeshjes, por Vora fiton një penalti, që më pas anulohet pas verifikimit në VAR nga gjyqtari Myrtja. Në limitet e pjesës së parë, Teuta kalon në avantazh falë golit të shënuar nga Umejiego.

Vora është më kërkuese në pjesën e dytë dhe i afrohet golit të barazimit në disa raste. Në fundin e takimit gjyqtari Myrtja bëhet sërish protagonist, pasi akordon një penallti për Teutën, që kthehet në gol nga Pedro. Miqtë kontestojnë këtë vendim, por nuk arrijnë që të ndryshojnë vendimin e gjyqtarit.

Mbyllet 2-0 ndeshja në Durrës. Teuta ngjitet përkohësisht e vetme në krye të renditjes me 10 pikë, ndërsa Vora pëson humbjen e tretë radhazi në kampionat.

Teilen: