Luka Modriç nuk arriti të lërë gjurmë në mesfushën e Milanit në përballjen ndaj Lazios, duke u zëvendësuar pas vetëm 45 minutash lojë.
Paraqitja e kroatit ngre pikëpyetje për mënyrën se si trajneri Ruben Amorim do ta përdorë atë në vazhdim të sezonit.
Veterani pati vështirësi të pazakonta në pasime, por problemi kryesor ishte kontrolli i topit, një aspekt ku Modriç zakonisht shkëlqen. Në vlerësimet e lojtarëve ai mori notën 5.5, ndërsa mediat italiane e vlerësuan me vetëm 5.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, vështirësitë e Modriçit ndaj Lazios nuk lidhen me cilësitë e tij teknike, të cilat mbeten në nivele shumë të larta, por me aspektin taktik dhe fizik.
Amorim: “Ky nuk është një lloj loje për Modriçin”
Ruben Amorim kërkon nga Milani një futboll intensiv, me shumë sulme, kundërsulme dhe presing. Një stil i tillë kërkon lëvizje të vazhdueshme dhe vrapime të shumta, diçka që për një lojtar 41-vjeçar si Modriç bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar për 90 minuta.
Pas ndeshjes, Amorim e pranoi hapur problemin.
“Duhet të jemi shumë të mirë me topin që Luka të ndihet rehat në lojë. Nëse e kthejmë ndeshjen në vrapime të çrregullta dhe ndryshime të vazhdueshme të ritmit, nuk është lloji i lojës për Lukën”, deklaroi trajneri portugez.
Ai shpjegoi gjithashtu se ndryshimi i skemës në pjesën e dytë dhe aktivizimi i Musah erdhi pikërisht për të përmirësuar intensitetin e ekipit.
Ndryshim i madh krahasuar me sezonin e kaluar
Situata është shumë ndryshe nga sezoni 2025/26, kur trajneri Massimiliano Allegri e kishte bërë Modriçin pikën qendrore të organizimit të lojës.
Kroati luante më shumë si një organizator klasik, me mbështetjen e mesfushorëve pranë tij dhe pa pasur nevojë të kryente presing të vazhdueshëm apo sprintime të gjata.
Amorim kërkon diçka krejt tjetër. Trajneri dëshiron që lojtarët e tij të jenë aktivë në presing dhe të mbulojnë shumë hapësira. Në këtë aspekt, Yunus Musah është një profil që i përshtatet më shumë filozofisë së tij.
Kjo u pa qartë edhe ndaj Lazios. Musah ndihmoi Milanin të mbante më shumë topin në gjysmëfushën kundërshtare, duke mbuluar shumë hapësira dhe duke dhënë kontribut në të dyja fazat e lojës.
Statistikat flasin qartë
Edhe shifrat tregojnë vështirësitë e Modriçit në Romë. Kroati humbi 13 topa vetëm në pjesën e parë dhe gaboi 6 nga 43 pasimet e tij, një statistikë jo e zakonshme për të.
Këto janë ndeshje që mund t’i ndodhin çdo lojtari, pavarësisht moshës. Por për Amorimin, kjo paraqitje mund të ketë dhënë një ide më të qartë se si duhet menaxhuar Modriçi.
Prirja duket se është që kroati të aktivizohet në ndeshjet ku Milani pritet të ketë më shumë kontroll të topit, ndërsa të lihet në stol në përballjet ku kërkohet intensitet i lartë dhe shumë vrapime.
Për këtë arsye, Modriç mund të mos jetë titullar në sfidën e mesjavës ndaj Benficas, ndërsa pritet të ketë më shumë mundësi për të luajtur në ndeshjen ndaj Lecces. /ORAinfo/