Wayne Rooney pinte cigare dhe konsumonte birrë me lojtarë të tjerë gjatë angazhimeve me kombëtaren e Anglisë, sipas një libri të ri që bën bujë, të shkruar nga një prej shokëve të tij të skuadrës.
Ish-sulmuesi i Newcastle-it dhe Liverpool-it, Andy Carroll, ka zbuluar sekrete nga brenda grumbullimit të kombëtares së Anglisë, përfshirë mënyrën se si Rooney i ftoi yjet e skuadrës t’i bashkoheshin në një seancë pijesh gjatë një grumbullimi stërvitor.
Në fragmente ekskluzive nga autobiografia e tij “Owning It”, Andy e përshkruan Rooney-n si “një nga njerëzit e mirë”, i cili ishte “normal” dhe “shumë, shumë gazmor”.
Andy, i cili ka luajtur gjithashtu për West Ham-in, u thirr për herë të parë në kombëtaren e Anglisë në vitin 2010, nën drejtimin e trajnerit italian të rreptë, Fabio Capello.
Ai shkruan për Rooney-n: “Më merrte në telefon në orën dy pasdite dhe më thoshte: ‘Andy, hajde në dhomën time, tani’. ‘Jo’, i thoja unë, ‘jo tani Wazza, është shumë herët’.
“Por ai gjithmonë më detyronte të dorëzohesha. E gjeja të shtrirë në shtrat duke parë televizor, duke pirë duhan dhe duke pirë birrë nga shishja.”
Ai rrethohej nga paketa cigaresh, arka birre dhe shishe vere (të cilat i kërkonte menaxherit të hotelit t’ia çonte në dhomë) dhe, shumë shpejt, dhoma e tij mbushej me lojtarë. Askush nuk dehej; ishte thjesht mënyra e “Wazza”-s për ta thyer monotoninë me ndonjë gotë, gjë që ishte më mirë sesa të rrinim shtrirë në krevat duke parë muret.
Sipas librit të Carroll-it, këto “takime” ndodhën rreth viteve 2010-2011, gjatë kohës kur Cappello ishte trajner i Anglisë.