Monday, 14. September 2026
Sport

​Spalletti: Zhegrova i pandalshëm

GS 14/09/2026 2 Min. Lesezeit

Edon Zhegrova ishte pa dyshim nota më pozitive për Juventusin në humbjen dramatike 3-2 ndaj Sassuolos, me futbollistin kosovar që realizoi dy gola pasi u inkuadrua në lojë nga banka rezervë.

Juventusi u mposht në një fund dramatik në “Mapei Stadium”, në ndeshjen e javës së katërt të Serie A, por paraqitja e Zhegrovës ishte një nga elementet e pakta pozitive për Luciano Spallettin.

Sassuolo kaloi në epërsi në minutën e 65-të me Sebastiano Espositon, ndërsa Zhegrova barazoi rezultatin në minutën e 82-të. Vendasit rikthyen epërsinë në minutën e 89-të me Kieron Bowie, por reprezentuesi i Kosovës u shfaq sërish në skenë në kohën shtesë për të realizuar golin e tij të dytë dhe për të barazuar shifrat në 2-2.

Megjithatë, drama nuk përfundoi aty, pasi Vasilije Adzic realizoi golin vendimtar për Sassuolon në minutat shtesë, duke i shkaktuar Juventusit humbjen e parë në kampionat këtë edicion.

Pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, vlerësoi paraqitjen e Zhegrovës, duke theksuar se aftësia e tij për të marrë përsipër kundërshtarët e bën një futbollist të vështirë për t’u ndalur.

“Kjo është forca e Zhegrovës, ai bëhet i paparashikueshëm dhe i pandalshëm kur përballet me kundërshtarët. Mund ta mbajë topin pak më gjatë dhe të mos e pasojë mjaftueshëm shpejt, me Kalulun që në një rast po e priste, dhe nuk e ndjek kundërshtarin e tij në krah. Megjithatë, nëse je në sulm dhe vetëm në gjysmën e fushës së kundërshtarit, atëherë Zhegrova është një lojtar i jashtëzakonshëm”, deklaroi Spalletti.

Dy golat ndaj Sassuolos ishin të parët e Zhegrovës me fanellën e Juventusit dhe i dhanë fund një pritjeje të gjatë të kosovarit për të gjetur rrugën drejt rrjetës në një ndeshje zyrtare.

Teilen: