Monday, 14. September 2026
Sport

​Caktohen lokacionet për projektet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

GS 14/09/2026 3 Min. Lesezeit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Kuvendi i Kryeqytetit ka votuar lokacionet për projektet strategjike që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se vendimet janë marrë në përputhje me Masterplanin e aprovuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare, ndërsa ka theksuar se pjesa më e madhe e garave pritet të zhvillohen në kryeqytet.

“Prishtina i fitoi Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Lokacionet u votuan në Asamblenë e Kryeqytetit. Prishtina është gati! Historia po shkruhet!”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, 71 për qind e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 do të zhvillohen në Prishtinë, ndërsa projektet e parapara synojnë të lënë trashëgimi afatgjatë për qytetin edhe pas përfundimit të kësaj ngjarjeje.

“Të premten në Kuvendin e Kryeqytetit votoj lokacionet për projektet strategjike të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka deklaruar Rama.

Ai ka përmendur Fshatin Olimpik, Qendrën Multisportive, Vertical Gym, Unazën e Qytetit, rrjetin e parkingjeve nëntokësore, Parkun Botanik dhe Gollakun si pjesë të projekteve që, sipas tij, do të kontribuojnë në transformimin e kryeqytetit.

“Sipas Masterplanit të aprovuar, 71% e Lojërave Mesdhetare 2030 do të zhvillohen në Prishtinë, prandaj projektet si Fshati Olimpik, Qendra Multisportive, Vertical Gym, Unaza e Qytetit, rrjeti i parkingjeve nëntokësore, Parku Botanik, Gollaku janë pjesë e transformimit të madh të Kryeqytetit që do t’u shërbejë gjeneratave edhe shumë kohë pas përfundimit të Lojërave”, ka shkruar ai.

Rama ka falënderuar për praninë dhe mbështetjen në këtë proces përfaqësues të institucioneve dhe asamblistët që votuan për vendimet.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se koha deri në vitin 2030 është e kufizuar dhe se projektet duhet të avancojnë me ritëm të shpejtë.

“Tash kemi më pak se katër vjet. Çdo ditë ka rëndësi. Në 2030 organizojmë Lojërat. Për dekada pas tyre, Prishtina jeton me atë që ndërtojmë sot”, ka përfunduar Rama.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të përbëjnë një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare të organizuara ndonjëherë në Kosovë. Prishtina pritet të jetë qendra kryesore e garave, ndërsa organizimi i Lojërave ka nxitur diskutime të vazhdueshme për ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe projekteve të tjera përcjellëse që synojnë të shfrytëzohen edhe pas vitit 2030.

Teilen: