Monday, 21. September 2026
Futboll

Erblin Osmani: Gjithmonë kam dashur të luaj për Kosovën, jam krenar për këtë mundësi

GS 21/09/2026 2 Min. Lesezeit

Mesfushori i talentuar, Erblin Osmani, ka shprehur emocionet e tij pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Kosovës, duke theksuar se përfaqësimi i “Dardanëve” ka qenë një dëshirë e kahershme e tij.

17-vjeçari, i cili është pjesë e Bayern Munichut, ka marrë ftesën nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve.

Pas mbërritjes në Prishtinë, Osmani foli për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke treguar se sa shumë do të thotë për të kjo ftesë.

“Kam dashur gjithmonë të luaj për Kosovën. Jam shumë krenar që kam mundësinë të luaj dhe ta përfaqësoj këtë shtet”, u shpreh Osmani.

Ai ka edhe një synim të qartë me Përfaqësuesen e Kosovës, duke besuar se skuadra ka potencial për të arritur rezultate të mëdha.

“Ishalla kemi me arrit shumë lart me Kosovën. Ka shumë potencial për me arrit shumë”, deklaroi talenti i Bayern Munichut.

Osmani nuk la pa falënderuar përzgjedhësin Franco Foda, presidentin e FFK-së, Agim Ademin, si dhe gjithë stafin për ftesën dhe pritjen që i është bërë.

“Falënderoj Franco Fodën, Agim Ademin dhe tërë stafin që më kanë dërguar ftesë dhe që më kanë pritur kaq mirë. Falënderoj edhe Bayern Munichun që më ka ndihmuar të arrij deri në këtë pikë”, tha ai.

Teilen: