“I thashë jo Serisë A. I thashë jo Genoas. I thashë jo Comos. Isha 48 vjeç. Trajner i Genoas ishte Alberto Gilardino, kampion bote si unë me Italinë në vitin 2006, ndërsa në stolin e Comos ishte Cesc Fabregas, një prej emrave të mëdhenj të historisë së futbollit.
Gilardino ishte 42 vjeç, Fabregas 37, kështu që do të isha përkatësisht 6 dhe 11 vjet më i madh se ata që paguheshin për të më thënë çfarë të bëja. Nuk janë legjenda urbane, është e vërteta e pastër. E pabesueshme, por e vërtetë. E çmendur”. Kështu shkruan ish-kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti, në autobiografinë e tij “Oltre”, botuar nga Cairo Editore.
Totti rrëfen edhe puthjen e parë me partneren e tij, Noemi Bocchi: “Pranë Piazza del Popolo, në makinë, si dy adoleshentë, në gjysmëerrësirë. Kisha pak frikë, isha vërtet i emocionuar. Puthje kisha dhënë shumë në jetë, por atë e konsideroja shumë të rëndësishme. Nuk mund ta humbisja, si penalltinë kundër Australisë në Botërorin 2006.
Fillova të pushtohesha nga dyshimet e adoleshentit: E puth unë apo pres të më puthë ajo? I mbyll sytë apo i mbaj hapur? Po sikur të mos i pëlqejë? Me gjuhë apo jo? Po sikur të na shohë dikush? Me sa duket, u puthëm në momentin e duhur. Me Romën në sfond, brenda nesh dhe përpara nesh”.