Kosova e nisi mjaft mirë aventurën në Ligën e Kombeve, duke fituar ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri” me golin e Vedat Muriqit. Pas atij triumfi të rëndësishëm, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë një postim emocionues në rrjetet sociale.
Ademi shkruan se ishte një fitore e veçantë, jo vetëm në fushë, por edhe për mesazhet e fuqishme që u përcollën në tribunat e stadiumit. Ai ka shpreur mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan për këtë fitore.
Postimi i plotë i Agim Ademit
Çfarë mbrëmje, çfarë fitoreje! Ju lumtë, Dardanë! E nisëm edicionin e ri të Ligës së Kombeve me fitore dhe me një paraqitje që dëshmon se Kombëtarja jonë është e gatshme të hapë një kapitull të ri, me besim, përkushtim dhe ambicie të reja.
Pas zhgënjimit të humbjes në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026 ndaj Turqisë, dhamë përgjigjen më të mirë në fushë: vazhdojmë përpara, më të fortë dhe më të bashkuar drejt objektivave tona të reja.
Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte i veçantë. Përveç lojës së Kombëtares dhe atmosferës fantastike të krijuar nga “Dardanët”, nga tribunat dhe në fushë u përcoll edhe një mesazh i fuqishëm në mbështetje të çlirimtarëve tanë. Një mesazh që na kujton se liria jonë ka një histori, sakrificë dhe emra që nuk harrohen. Përgëzime për secilin futbollist për angazhimin, karakterin dhe përkushtimin e treguar gjatë 90 minutave.
Mirënjohje për përzgjedhësin Franco Foda dhe gjithë stafin teknik për punën dhe përkushtimin e tyre. Faleminderit “Dardanëve” dhe të gjithë tifozëve që ishin sonte në “Fadil Vokrri” dhe që i dhanë zemër ekipit. Mirënjohje edhe për ekipin organizativ, institucionet e rendit dhe sigurisë dhe të gjithë ata që kontribuuan që kjo mbrëmje të përmbyllej me sukses.
Sonte fituam në fushë, por fituam edhe në unitet, krenari dhe dashuri për Kosovën.
LIRIA KA EMËR! PËR ÇLIRIMTARËT!