Monday, 16. November 2026
Sport

Dy gjigantët e La Ligës në garë për nënshkrimin e talentit të Interit

GS 16/11/2026 3 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Interit, Francesco Pio Esposito, po tërheq vëmendjen e gjigantëve evropianë pas paraqitjeve të mira me Kombëtaren e Italisë, duke u shndërruar në një nga emrat që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në afatin kalimtar të verës së vitit 2027.

Futbollisti 21-vjeçar ka zgjuar interesimin e Barcelonës, ndërsa edhe Atletico Madridi e sheh si një profil që mund t’i përshtatet nevojave të repartit ofensiv.

Paraqitjet e tij të fundit me fanellën e Italisë kanë ndikuar në rritjen e interesimit, veçanërisht dy ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij muaji.

Më 12 nëntor, Esposito shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Italisë ndaj Francës në Ligën e Kombeve. Sulmuesi fillimisht realizoi golin e barazimit, përpara se ta vuloste fitoren nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërkohë, më 15 nëntor, ai shënoi edhe golin e vetëm të Italisë në humbjen 4-1 ndaj Belgjikës.

Zhvillimi i tij po vërehet edhe te Interi, ku gjatë sezonit 2026/27 ka realizuar tre gola dhe ka dhënë një asistim në 11 paraqitje në Serie A, duke regjistruar gjithsej 579 minuta lojë. Ai ka lënë gjurmë edhe në Ligën e Kampionëve, ku shënoi në fitoren 3-0 të Interit ndaj Feyenoordit më 3 nëntor.

I lindur më 28 qershor 2005, Esposito është 1.90 metra i gjatë dhe konsiderohet një sulmues me potencial të madh për të ardhmen. Përveç aftësive në zonën kundërshtare, ai ofron edhe forcë fizike, duke qenë në gjendje të mbajë topin dhe të krijojë hapësira për bashkëlojtarët.

Interi, megjithatë, ka një pozicion të favorshëm në çdo negociatë të mundshme, pasi sulmuesi ka kontratë me klubin zikaltër deri në qershor të vitit 2032.

Kjo do të thotë se çdo skuadër e interesuar do të duhet të negociojë me drejtuesit e klubit italian dhe të përgatitet për një investim të konsiderueshëm.

Barcelona e kishte përfshirë Espositon në listën e objektivave të mundshëm për përforcimin e sulmit edhe më herët. Drejtuesit katalunas janë në kërkim të një qendërsulmuesi që mund të ofrojë alternativa shtesë në repartin ofensiv të trajnerit Hansi Flick dhe të jetë pjesë e projektit afatgjatë të klubit.

Në anën tjetër, edhe Atletico Madridi po shqyrton mundësinë e përforcimit të sulmit. Diego Simeone kërkon më shumë alternativa në këtë repart, ndërsa drejtuesit madrilenë vazhdojnë të vlerësojnë profilet që mund t’i përshtaten filozofisë së trajnerit argjentinas.

Paraqitjet e fundit me Italinë kanë bërë që emri i Francesco Pio Espositos të marrë edhe më shumë vëmendje në tregun evropian.

Mbetet të shihet nëse Barcelona dhe Atletico Madridi do ta konkretizojnë interesimin e tyre, apo nëse Interi do të arrijë ta mbajë njërin prej talenteve më premtues të futbollit italian. /Telegrafi/

Teilen: