Friday, 25. September 2026
Sport

Maran debuton nesër me Shqipërinë: “Më emocionon

GS 25/09/2026 4 Min. Lesezeit

Nesër nis zyrtarisht aventura e Rolando Maran në stolin e Kombëtares Shqiptare.

Përballë do të jetë Bjellorusia, një kundërshtar që vjen pas një serie prej gjashtë ndeshjesh radhazi me rezultate pozitive, por trajneri italian kërkon që kjo të shërbejë vetëm si një motivim shtesë për skuadrën kuqezi.

Në konferencën për shtyp në prag të sfidës, Maran foli për përgatitjet, gjendjen fizike të lojtarëve, alternativat që ka provuar gjatë javës dhe mënyrën se si e sheh debutimin e tij zyrtar.

“Bjellorusia është një skuadër kompakte dhe po ecën shumë mirë. Kemi shumë respekt për ta. Përtej kësaj, unë jam mësuar të përgatis dhe të përqendrohem te skuadra ime. Kemi punuar shumë mirë, sepse kemi gjetur menjëherë stimujt e duhur. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, u shpreh Maran.

Trajneri italian nuk e fshehu emocionin për ndeshjen e parë zyrtare në drejtimin e Shqipërisë, ndërsa pranoi se disa lojtarë kanë pasur probleme fizike.

“Është e vërtetë që nesër fillon aventura ime si trajner i Shqipërisë dhe kjo më emocionon dhe më bën krenar. Të bën të japësh edhe më shumë se në kushte normale. Kemi pasur disa probleme fizike me disa lojtarë, por, përpos kësaj, kushdo që do të futet në fushë do të japë maksimumin. Unë kam shumë besim”, tha ai.

Një prej pikëpyetjeve lidhet me gjendjen e Kristjan Asllanit dhe Amir Shehut. Maran konfirmoi se të dy do të stërviten normalisht, ndërsa la të hapur mundësinë që disa prej lojtarëve të mos jenë në gjendje për të përballuar të gjitha 90 minutat.

“Meqë disa lojtarë nuk ishin në kushtet optimale, kam provuar shumë alternativa. Asllani dhe Shehu sot do të stërviten normalisht. Kemi provuar shumë alternativa dhe kemi punuar shumë. Ishte një javë impenjative, kështu e kërkova unë dhe ata m’u përgjigjën shumë mirë. Jam optimist se të gjithë do të rikuperohen, ndoshta jo për 90 minuta, por do t’i kemi si alternativa”, u shpreh Maran.

Pas disa muajsh në kontakt me lojtarët e Kombëtares, trajneri italian thotë se tashmë e njeh shumë më mirë grupin dhe karakteristikat e futbollistëve. Megjithatë, ai theksoi se forma e lojtarëve ndryshon dhe se zgjedhjet janë bërë duke u bazuar te gjendja e tyre aktuale.

“Sigurisht, tani i njoh shumë mirë. Kam fatin që, përveç grumbullimit, gjatë këtyre muajve jam takuar dhe kam pasur kontakte me ta. Tani situata është ndryshe nga fillimi. Mund të them se tashmë i njoh më mirë karakteristikat e secilit, të cilat nuk i dija më parë. Por duhet të dini se lojtarët ndryshojnë, ka lojtarë që kalojnë momente të ndryshme, si për mirë, ashtu edhe jo për mirë. Nuk mund të përmend emra të veçantë. Unë kam grumbulluar ata që ishin në gjendje më optimale dhe më të përshtatshëm për zgjedhjet e mia. Kam punuar shumë për këtë, ju siguroj”, deklaroi Maran.

Përballë do të jetë një Bjellorusi që ka krijuar një seri të mirë rezultatesh, por Maran kërkon që kjo të mos ndryshojë qasjen e Shqipërisë ndaj sfidës.

“Bjellorusia vjen nga një periudhë shumë e mirë, me gjashtë ndeshje radhazi me rezultate pozitive, por kjo për ne duhet të jetë thjesht një stimul. Ne e respektojmë, por duhet të jemi më të vendosur për rezultatin tonë”, theksoi trajneri kuqezi.

Maran paralajmëroi gjithashtu se gjatë ndeshjes mund të ketë situata të ndryshme dhe se skuadra duhet të jetë e përgatitur për të reaguar ndaj tyre.

“Gjatë ndeshjes, sigurisht që ka momente dhe alternativa të ndryshme për të ndërhyrë. Ne kemi punuar për të qenë gati në shumë plane. Një ndeshje nuk fillon dhe mbaron asnjëherë njësoj dhe ne jemi të përgatitur për këtë”, përfundoi Maran.

Tashmë fjala është te fusha. Shqipëria dhe Bjellorusia përballen nesër në “Air Albania”, në ndeshjen që shënon edhe debutimin zyrtar të Rolando Maran në stolin kuqezi.

Teilen: