AC Milan pritet të jetë sërish aktiv në muajt e ardhshëm, jo vetëm në merkato, por edhe në strukturën drejtuese të klubit.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, të përcjella nga MilanPress, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, po shqyrton një tjetër ndryshim në strategjinë e klubit dhe mund të emërojë një drejtor sportiv ose një “Head of Football”.
Ideja është që drejtuesi i ri të ketë një rol më të afërt me skuadrën dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në planifikimin e merkatos.
Një prej emrave që përmendet sërish për këtë pozicion është Markus Krösche. Sipas raportimeve, synimi do të ishte që emërimi të bëhej përpara merkatos së janarit, në mënyrë që drejtuesi i ri të ishte i përfshirë që në planifikimin e përforcimeve, transmeton ORAinfo.

Milani po planifikon disa përforcime
Përsa i përket merkatos së janarit, një nga prioritetet e Milanit mbetet përforcimi i repartit të mbrojtjes, me një mbrojtës qendror që raportohet se është në listën e objektivave.
Megjithatë, kuqezinjtë pritet të vlerësojnë edhe alternativa të tjera. Në fokus janë mesfusha dhe krahët, ku klubi mund të kërkojë përforcime.
Një tjetër profil që mund të kërkohet është një mbrojtës i majtë/wing-back, për të ofruar më shumë alternativa për Davide Bartesaghi dhe Pervis Estupiñán.
Në mesfushë, drejtuesit pritet të analizojnë mundësinë e afrimit të një lojtari për repartin me dy mesfushorë, ndërsa nuk përjashtohet edhe një përforcim në repartin ofensiv.
Merkatoja e janarit është ende disa muaj larg dhe situata mund të ndryshojë, por raportimet e fundit tregojnë se Milani po përgatitet për një periudhë me ndryshime të rëndësishme, si në drejtim ashtu edhe në skuadër. /ORAinfo/