Fitorja e rëndësishme në shtëpi ndaj Irlandës ka sjellë menjëherë efekte pozitive për Kombëtaren e Kosovës në ranglistën e përgjithshme botërore të FIFA-s.
“Dardanët” arkëtuan tri pikë të plota në stadiumin “Fadil Vokrri” falë triumfit 1-0 ndaj irlandezëve, në një përballje të cilën e dominuan në të gjitha aspektet e lojës.
Falë këtij suksesi, Kosova ka fituar një pozitë në renditje duke lënë pas Bolivinë dhe duke u ngjitur në vendin e 77-të në botë.
Me këtë pozicionim, Kosova lë pas edhe kundërshtarin e ardhshëm të grupit, Izraelin, i cili gjendet një vend më poshtë
Një tjetër kërcim i madh mund të vijë shumë shpejt: Kosova ka shansin të fitojë pikë të konsiderueshme nëse arrin rezultat pozitiv ndaj Austrisë, kombëtare që mban vendin e 23-të në botë.
Djemtë e Franco Fodës tashmë kanë udhëtuar drejt Vjenës, ku nesër nga ora 18:00 do të përballen me austriakët në stadiumin “Ernst Happel”.
Ngjitje në renditjen e FIFA-s ka shënuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë përfituar nga humbja befasuese e Hondurasit në shtëpi përballë Surinamit, duke u ngjitur kështu në pozitën e 66-të në botë.
Kujtojmë se Shqipëria do të zbresë në fushë sot përballë Bjellorusisë, në një duel ku fitorja konsiderohet mision i domosdoshëm për vazhdimësinë e kuqezinjve.