Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha ka folur për FSHF.TV pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen hapëse të Nations League.
“Ishte emocionuese, sidomos fillimi kur hyra në stadium. Ishte një ndjenjë, mu duk sikur herën e parë. Prandaj i falënderoj të gjithë, së pari stafin, gjithë lojtarët dhe gjithë tifozët që më përkrahën sapo dola dhe më bënë të ndihem shumë mirë.
Skuadra është një ndërthurje mes lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe lojtarëve të rinj. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të zgjuar, edhe pse kemi pas një kundërshtar të mirë përballë, sidomos në pjesën e parë. Mendoj që grupi ka reaguar shumë mirë, sidomos edhe ata që kanë hyrë në pjesën e dytë kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh.
Vendi i parë në grup është objektivi kryesor, sepse e dimë që kemi kualitet. Tani duhet të përqendrohemi sepse kemi edhe ndeshje të tjera. Kjo fitore na ndihmon shumë në këtë rrugëtim”, ka thënë Berisha.