Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, “Dardandët”, kanë konfirmuar se do ta përkrahin nga afër Kosovën në ndeshjen ndaj Izraelit.
Pra, “Dardanët” kanë bërë të ditur se do të jenë në tribunat e stadiumit në Debrecen të Hungarisë për ta mbështetur Kosovën në duelin e xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare, “Dardanët” kanë njoftuar se do t’I qëndrojnë pranë Kosovës, pavarësisht nëse ndeshja zhvillohet në shtëpi, udhëtim apo terren neutral.
“Nuk ka rëndësi a luajmë në fushë vendëse, si mysafirë apo në fushë neutrale. Dardanët në çdo variant e në çdo cep të Evropës i qëndrojnë pranë ekipit kombëtar të vet me krenari dhe besnikëri”, ka shkruar, tifogrupi “Dardanët”.
Gjithashtu, “Dardanët” kanë theksuar se asnjë rezultat negativ nuk do ti demotivojë në mbështetjen ndaj Kosovës, duke u bërë thirrje tifozëve që të bashkohen për ta përkrahur kombëtaren në përballjen me Izraelin.
Ndeshja Izrael – Kosovë, zhvillohet të enjten mbrëma, duke filluar nga ora 20:45 dhe i takon ligës B të Ligës së Kombeve.