Investimet në sektorin e hotelerisë dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit në Shqipëri do të jenë në fokus të Future Hospitality Forum 2026, aktiviteti i organizuar për herë të parë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Ky aktivitet do të zhvillohet më 2 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Forumi synon të krijojë një hapësirë takimi mes zhvilluesve shqiptarë, investitorëve dhe kompanive ndërkombëtare të sektorit të hotelerisë.
Gjatë forumit do të prezantohen më shumë se 100 projekte shqiptare përpara përfaqësuesve të markave ndërkombëtare të hotelerisë. Në program janë parashikuar gjithashtu takime mes investitorëve dhe operatorëve të sektorit.
Forumi do të hapet me një fjalim të kryeministrit Edi Rama. Në fokus të aktivitetit do të jenë zhvillimi i sektorit të mikpritjes, investimet dhe mundësitë për zgjerimin e pranisë së markave ndërkombëtare në tregun shqiptar.
Mes kompanive pjesëmarrje janë Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Falkensteiner Hotels and Residences, Sunset Hospitality Group, Iberostar, Banyan Group, CDS Hotels, Club Esse, METT, Elite World Hotels & Resorts, Hyatt Inclusive Collection, HO Collection dhe Majestic Hospitality, si dhe kompani këshilluese të sektorit.
Aktiviteti do të ndahet në tri fusha kryesore: zhvillimin e hotelerisë në zonat urbane, investimet në zonat bregdetare të Adriatikut dhe Jonit dhe zhvillimet turistike në zonat malore.
/rtsh.al/