Thursday, 1. October 2026
Sport

Shkodër/ Arrestohen dy shtetas të huaj, transportonin 4 afganë drejt Malit të Zi

GS 01/10/2026 3 Min. Lesezeit

Dy shtetas të huaj janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën duke transportuar kundrejt pagesës katër shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.

Operacioni i koduar “Transit 2” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve për goditjen e rasteve të ndihmës ndaj emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga përfunduan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Policia i ndaloi në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, teksa udhëtonin me një automjet, ku C. D. ishte drejtues dhe M. A., pronar i mjetit, pasagjer. Gjatë kontrollit u konstatuan katër shtetas nga Afganistani, të cilët, sipas Policisë, po transportoheshin kundrejt pagesës me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror drejt Malit të Zi. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i plotë:

DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit 2”, goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të huaj, të cilët u kapën duke transportuar me automjet 4 shtetas nga Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi. Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 2”.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, automjetin me drejtues shtetasin C. D. dhe pasagjer shtetasin M. A. (pronar i automjetit), me të cilin po transportonin, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Teilen: