Kosova ka barazuar 1-1 ndaj Austrisë në sfidën e luajtur në “Fadil Vokrri”, ndeshja e katërt në grup, në Ligën B. Dardanët e nisën vrullshëm, duke provuar të gjejë golin që në minutën e 8-të, por goditja e Veldin Hoxhës nuk përfundon në kuadrat.
Në minutën e 20-të, Austria pretendon për penallti, pasi Alexander Prass rrëzohet në zonë, por arbitri vazhdon lojën normalisht. Në fund të pjesës së parë, Kosova kishte një tjetër mundësi të mirë shënimi me Vedat Muriqin, por portieri austriak tregohet më i shpejtë me largimin e topit.
Pjesa e parë mbyllet 0-0. Kosova e nis vrullshëm pjesën e dytë, duke iu afruar golit me goditjen e fuqishme të Lumëbardh Dellovës, por Schlager bën një super pritje, të cilën Zabërgja e dërgon në rrjetë, por goli anullohet për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 56-të, Veldin Hoxha provon të gjejë golin me kokë, por Schlager thotë sërish “jo”. Sfida u zhbllokua në minutën e 70-të, ku pas një aksioni të shkëlqyer dhe asistit fantastik të Zhegrovës, ishte i sapo futuri në fushë Fisnik Asllani që dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 73-të, tjetër kundërsulm perfekt i Kosovës, i futuri në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, Milot Rashica, del i vetëm përballë portierit, por goditja e tij përplaset në shtyllë.
Në minutën e 85-të, Austria barazon shifrat 1-1 me Christoph Lang, i cili shënoi me kokë aps një rivënie të gjatë anësorë në zonë dhe asistit po me kokë të Sasa Kalajdzic.
Rezultati final, 1-1. Një ndeshje që meritonte të kishte një fund tjetër, por Dardanët marrin vetëm një pikë.