Cristiano Ronaldo ka zbardhur në detaje prapaskenat e përplasjes me trajnerin e Portugalisë, duke rrëfyer bisedat mes tyre, planin për përdorimin e tij dhe momentin kur, sipas tij, trajneri shkeli marrëveshjen:
“Në fund të ndeshjes së fundit, doja vetëm që gjithçka të përfundonte me fitore dhe të qëndroja vetëm. Nuk shkova t’i përshëndesja tifozët. Ishte një gabim për të cilin përgjegjësia është vetëm e imja dhe që nuk duhej të kishte ndodhur. Iu kërkoj falje portugezëve që na mbështetën fuqishëm atje, iu kërkoj falje tifozëve dhe të gjithë atyre që, edhe pse nuk janë portugezë, mund të kenë udhëtuar për të më parë dhe që mund t’i kem zhgënjyer.
48 orë më vonë patëm një bisedë; unë, trajneri dhe Simão Coutinho, pasi ai kishte qenë personi që kishte shoqëruar bisedat tona në gusht. Ishte një moment i thellë, shumë i sinqertë, pa asnjë lloj filtri.
Ramë dakord se kishte vetëm një mënyrë për ta mbyllur këtë ‘çështje’: trajneri duhej të përsëriste atë që sapo më kishte thënë privatisht, në prani të Simão Coutinhos, por këtë herë në sallën e konferencës për shtyp.
Ajo që u dakordësua ishte e thjeshtë: trajneri do ta niste konferencën me këtë çështje, duke kërkuar ta mbyllte atë duke thënë të vërtetën. Ai do të thoshte se unë nuk kisha kërkuar të luaja asnjë minutë, se ishte trajneri dhe askush tjetër që më kishte propozuar planin për këtë grumbullim, se kishte qenë gabim të më nxirrte për nxehje dhe më pas të mos më aktivizonte dhe se, nëse do të ndodhte sërish, nuk do ta bënte.
E përfunduam atë takim me trajnerin që më kërkoi një përqafim, duke më premtuar se në konferencë do të thoshte atë që sapo më kishte thënë dhe se çështja do të kapërcehej. Unë nuk do të luaja në Danimarkë, por do të luaja ndeshjen në ‘Dragão’. E gjitha kjo ndodhi gjithmonë në prani të Simão Coutinhos.
Me kërkesë të trajnerit, më pas u zhvillua një takim mes tij, Simão Coutinhos dhe Tiago Craveiros përmes videokonferencës, ku u përmblodh ajo që kishim diskutuar. U përgatit një dokument i shkurtër, të cilin e miratova vetë dhe që, me dijeninë time, iu dorëzua trajnerit, me kërkesën e tij.
Konferenca ishte ajo që të gjithë e njohim; qëndrimi i tij nuk kishte asnjë lidhje me takimin tonë. Dëgjova shprehje dhe një agresivitet që nuk besoj se i meritoja, një qëndrim të tipit ‘unë dua, unë mundem dhe unë urdhëroj’, të cilin ai nuk ma kishte treguar kurrë, as edhe në mënyrën më të vogël, privatisht një ditë më parë.
Shënimet që unë miratova ishin këto: ‘Mendoj se është e rëndësishme, edhe sepse kjo është e vërteta, të sqaroj disa gjëra përpara se të flasim për Danimarkën:
– Unë vetë, dhe askush tjetër, i propozova Cristianos një plan për këtë sezon me kombëtaren. Ishte një bisedë e gjatë dhe shumë e mirë.
– E di se sa shumë ai e jeton dhe e do kombëtaren, si dhe peshën që ka në botë, por mbi të gjitha peshën dhe ndikimin pozitiv që ka pasur në kombëtare për 24 vite radhazi.
– Plani që i propozova Cristianos u pranua.
– Ai nuk i vuri kurrë në dyshim zgjedhjet e mia. Ishte shembullor, besnik dhe profesionist.
– Ndeshja në Norvegji nuk ishte pjesë e planit që kisha hartuar për të. Megjithatë, ndjeva se ai kishte arritur të rikuperohej fizikisht nga ndeshja e parë dhe e paralajmërova se mund të më duhej ta aktivizoja. Cristiano pranoi.
– Gabova duke nxjerrë për nxehje një lojtar të përmasave të Pelés apo Maradonës e më pas të mos e fusja në lojë. Po të isha sot në atë situatë, nuk do ta bëja.
– Për ta mbyllur këtë çështje: unë e dua Cristianon në kombëtare. Në fakt, nuk e dua pak, e dua shumë. Fatmirësisht, edhe ai beson tek unë. Besoi tek unë tek Al Nassr, beson edhe këtu.
– Për faktin që nuk përshëndeti tifozët. Për këtë kemi folur tashmë. Dikush që ka luajtur më shumë se 230 ndeshje për kombëtaren nuk merr leksione nga unë për dashurinë ndaj Portugalisë. Ishte një moment zhgënjimi që nuk fshin asgjë. Ai është lojtari që jep më shumë autografe, bën më shumë ‘selfie’ dhe tregon më shumë dashuri për tifozët. Le të mos shpikim probleme aty ku nuk ekzistojnë. Kur nuk jemi të lumtur, reagojmë. Kaq ishte.
Asnjë prej këtyre shënimeve, pra, nuk thoshte se trajneri duhej të më kërkonte falje. Ishte hera e dytë që ai e kishte thyer fjalën e dhënë ndaj meje. Siç premtova, vendosa t’i rrëfej në vetën e parë dhe drejtpërdrejt rrethanat që lidhen me grumbullimin e fundit të kombëtares.
Pas Kupës së Botës 2026, përgatita një letër për popullin portugez, të cilën ende e ruaj, me fjalët që dua t’u drejtoj atyre kur të largohem përfundimisht nga kombëtarja jonë.
Në fund të kompeticionit, që në avionin e kthimit nga SHBA, presidenti i Federatës më kërkoi dhe këmbënguli që ta rishikoja vendimin për t’u larguar, sepse FPF-ja dëshironte që unë të vazhdoja.
Menjëherë më pas, ai më kërkoi mendimin për emrin e trajnerit aktual të kombëtares, të cilin po e konsideronte së bashku me emra të tjerë që nuk m’i bëri të ditur.
I thashë presidentit të Federatës se, sipas mendimit tim, do të ishte zgjedhja e duhur. Prandaj, ditën kur trajneri aktual u prezantua, isha vërtet i lumtur me zgjedhjen. Ishte opsioni i duhur, siç po e konfirmojnë edhe rezultatet.