Fundi i karrierës së Luka Modric përkon me atë të dy legjendave të futbollit, Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Në një intervistë për “Partidazo de COPE”, kroati foli mbi lamtumirën e Messit nga kombëtarja dhe situatën e Ronaldos me Portugalinë.
Për Messin tha: “Është për të ardhur keq që tërhiqet nga kombëtarja, por është vendimi i tij dhe duhet ta respektojmë. Ai fitoi Kupën e Botës që dëshironte, është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe ishte kënaqësi ta shihje duke luajtur, edhe pse kam vuajtur shumë kundër tij, me kombëtaren dhe me Real Madridin. Është një lojtar unik, i uroj gjithë të mirat”.
Për Ronaldon u shpreh: “Nuk kam folur me të dhe nuk e di saktësisht çfarë ka ndodhur. Është për të ardhur keq për atë që po i ndodh në vendin e tij, por mendoj se do të gjejnë një zgjidhje. Cristiano e meriton. Nëse nuk synon të vazhdojë, meriton një lamtumirë të madhe. Shpresoj që situata të zgjidhet, sepse ai është lojtari më i madh që ka pasur ndonjëherë Portugalia”.