“Jemi të vetëdijshëm se duhet të luajmë 7 ndeshje dhe të marrim maksimumin për t’u kualifikuar. Brugge është një skuadër me identitetin e vet, që kërkon të luajë futboll në të dyja fazat e lojës. Nuk do të jetë e lehtë. Në Champions League, asnjë ndeshje nuk është e lehtë”. Kështu e prezanton Cristian Chivu sfidën që e pret Interin në ndeshjen e dytë të tij në Champions League.
“Rotacioni? “Në ndeshjet që kemi përpara, na duhen energji dhe vendosmëri. Zgjedhjet bëhen në varësi të këtyre faktorëve. Kemi një skuadër të rëndësishme, me lojtarë që vënë cilësitë e tyre individuale në shërbim të grupit, – tha ai për “Sky”. – Calhanoglu? Vlera e tij nuk duhet vënë kurrë në diskutim. Do të shohim se si do ta menaxhojmë situatën. Kemi nevojë për të gjithë, sepse luajmë çdo tri ditë. Nuk do ta rrezikojmë integritetin fizik të lojtarëve”.
Champions League si ëndërr apo si mundësi? Ja si përgjigjet trajneri zikaltër: “Të gjithë duhet të bëjmë kujdes me këtë pyetje. Nëse përgjigjesh se është një ëndërr, atëherë e vendos si objektiv kryesor dhe kjo nuk është e njëjta përgjigje. Është e drejtë që Interi të ketë ambicien për të shkuar sa më larg të jetë e mundur, duke ëndërruar se mund të arrijë shumë larg”.