Kampionia në fuqi, Drita ka triumfuar ndaj ish-kampionit, Ballkanin në ndeshjen hapëse të xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll.
Në derbin e luajtur të martën gjatë ditës në Suharekë, Drita ka triumfuar me rezultatin minimal 1:0 dhe atë falë golit të Besnik Krasniqit.
Krasniqi shënoi në fund të takimit, saktësisht në minutën e dytë shtesë nga një kundërsulm i shpejtë për t’ia siguruar fitoren Dritës.
Ndeshja në përgjithësi ishte e fortë dhe me raste shënimi nga të dyja palët, por në fund, një gol vendosi fituesin edhe pse ndeshja po shkonte drejt barazimit.
Me këtë fitore, Drita parakalon Ballkanin në tabelë pasi ka tubuar 14 pikë, një më shumë se skuadra nga Suhareka.
Për Ballkanin, kjo humbje erdhi pas fitores minimale në udhëtim te Llapi kurse Drita u rikthye te fitorja pas humbjes që e pësoi xhiron e shkuar në shtëpi nga Malisheva.
Në xhiron e ardhshme, Drita do të luaj në Podujevë kundër skuadrës së Llapit kurse Ballkani do të përballet në shtëpi me Prishtinën.