Wednesday, 14. October 2026
Sport

Policia e Shtetit ripërsërit apelin ndaj protestuesve: Distancohuni nga dhuna, dënimet shkojnë deri në 7 vite burg

GS 14/10/2026 2 Min. Lesezeit

Policia e Shtetit ka reaguar sërish pas përshkallëzimit të protestës në Tiranë, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj efektivëve të Policisë.

Policia dënon shkatërrimin me zjarr të pronës publike dhe private, si dhe dhunën ndaj punonjësve të saj, duke theksuar se çdo person që përfshihet në këto veprime do të mbajë përgjegjësi individuale përpara ligjit.

“E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë, të mos mbështesin aktet e dhunshme dhe të largohen nga personat që rrezikojnë sigurinë publike.

Policia paralajmëron gjithashtu se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vite burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.

Sipas Policisë, veprimet e dhunshme përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, si dhe për pronën publike dhe private.

“Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, thekson Policia e Shtetit në reagimin e saj.

Reagimi vjen në një kohë kur protesta në kryeqytet vijon mes tensioneve, incidenteve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.

Teilen: