Thursday, 15. October 2026
Sport

Protestat përhapen në rrethe, në Durrës studentët qëllojnë me vezë bashkinë, në Shkodër i thyejnë xhamat

GS 15/10/2026 2 Min. Lesezeit

Protesta e studentëve është shtrirë edhe jashtë Tiranës. Studentë dhe nxënës në Durrës, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Divjakë kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë dalë në rrugë, duke iu bashkuar lëvizjes protestuese që prej 3 ditësh ka përfshirë kryeqytetin.

Në Durrës, studentët janë mbledhur para Bashkisë së qytetit, ku kanë protestuar duke hedhur vezë në drejtim të godinës. Ata kanë bojkotuar mësimin dhe vijojnë të qëndrojnë në sheshin përpara institucionit. Deri më tani, situata në qytet paraqitet e qetë, pa raportime për përplasje mes protestuesve dhe autoriteteve.

Ndërkohë, në Shkodër, studentët i janë bashkuar protestës duke u mbledhur para Bashkisë. Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e institucionit.

Edhe në Vlorë ka nisur mobilizimi i studentëve. Një grup prej tyre është larguar nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe ka marshuar përgjatë bulevardit të qytetit, duke bërë thirrje që studentë të tjerë t’u bashkohen protestave. Gjatë marshimit janë dëgjuar slogane si “Bashkohuni me ne”. Protestuesit po drejtohen drejt rektoratit qendror të Universitetit të Vlorës dhe fakulteteve të tjera, ku po u bëjnë thirrje studentëve të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen tubimit. Për disa momente, marshimi ka sjellë edhe bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevard.

Në Korçë, nxënësit kanë bojkotuar procesin mësimor dhe pritet t’u bashkohen studentëve në protestë. Edhe në Divjakë raportohet për bojkot të mësimit nga nxënësit.

Përhapja e protestave në qytete të ndryshme të vendit vjen pas protestave në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe dëmtime të institucioneve publike.

Ndërsa lëvizja po merr përmasa edhe në rrethe, studentët në Tiranë vijojnë mobilizimin në kryeqytet duke marshuar në rrugë të ndryshme, ndërsa nuk kanë munguar incidentet dhe hedhja e ujit dhe gazit lotsjellës nga policia për shpërndarjen e tyre.

/rtsh.al/

Teilen: