Thursday, 15. October 2026
Sport

Video/ Protesta në Tiranë, i vihet zjarri një ndërtese pranë Ministrisë së Arsimit

GS 15/10/2026 1 Min. Lesezeit

Një ndërtese të braktisur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë i është vënë zjarri nga protestuesit, gjatë ditës së tretë të protestave në kryeqytet.

Pas përhapjes së flakëve, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e tij drejt objekteve të tjera.

Ndërkohë, efektivët e policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën e protestuesve nga zona, ndërsa vijonin operacionet për shuarjen e flakëve.

Dita e tretë e protestave në Tiranë është shoqëruar sërish me tensione dhe kaos. Protestuesit janë mbledhur në dy raste në rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku situata është përshkallëzuar.

Policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, në përpjekje për të vënë situatën nën kontroll.

Protestat, të cilat kanë përfshirë kryeqytetin prej tri ditësh, janë shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të pronës publike e private, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar.

/rtsh.al/

Teilen: