Thursday, 15. October 2026
Sport

Zv.kryeministrja Koçiu dënon dhunën ndaj efektivëve të policisë gjatë protestave

GS 15/10/2026 2 Min. Lesezeit

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar publikisht për të dënuar me forcë aktet e dhunës, sulmet, kërcënimet dhe fyerjet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit, duke nënvizuar se dhjetëra efektivë janë lënduar teksa gjendeshin në krye të detyrës për garantimin e rendit publik.

Në mesazhin e saj zyrtar, Koçiu e cilësoi të papranueshme goditjen e efektivëve të rendit, duke deklaruar se “dënoj me forcën më të madhe çdo akt dhune, sulmi, kërcënimi apo fyerjeje ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit”, ndërsa shtoi se “asnjë qëllim dhe asnjë interes politik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj uniformës së shtetit”.

Zv.kryeministrja solli në vëmendje dimensionin njerëzor të efektivëve të policisë, duke kujtuar se “pas çdo uniforme qëndron një qytetar i këtij vendi. Një prind, një bashkëshort, një djalë apo një vajzë, që është larguar nga shtëpia për të garantuar rendin dhe sigurinë e të gjithëve, ndërsa familja e pret të kthehet shëndoshë e mirë”.

Gjithashtu, Koçiu nënvizoi natyrën mbipartiake të Policisë së Shtetit, duke sqaruar se ajo “nuk është pronë e një qeverie apo e një partie”, por “është institucion i Republikës dhe shërben për sigurinë e qytetarëve, përfshirë edhe ata që dalin në rrugë për të protestuar kundër qeverisë”.

Pasi rikonfirmoi mbështetjen për të drejtat demokratike, ajo theksoi se “e drejta për të protestuar është e shenjtë në një demokraci. Por askush nuk ka të drejtë ta kthejë protestën në dhunë dhe policin në shënjestër”. Koçiu e përmbylli reagimin e saj me një thirrje për pjekuri politike dhe respekt ndërmjet palëve: “Në demokraci mund të jemi kundërshtarë politikë, por nuk mund ta trajtojmë njëri-tjetrin si armiq. Respekti për jetën nuk duhet të jetë kurrë çështje politike”.

/rtsh.al/

 

Teilen: