Daniel Maldini është një nga emrat më të përfolur të momentit në Serie A. Këtë vëmendje e ka fituar falë fillimit të shkëlqyer të sezonit me Cagliari dhe grumbullimit në kombëtare, por edhe për shkak të ngjarjeve të fundit që e kanë përfshirë. Në një intervistë për “Sky Sport”, futbollisti foli për karrierën, familjen, kombëtaren dhe periudhën e vështirë që ka kaluar.
Fanella me numrin 70 te Cagliari, çfarë përfaqëson për ju?
Ka një domethënie të fortë, diçka të re, por të rëndësishme. E nisëm menjëherë mirë, jemi të kënaqur dhe duam të vazhdojmë kështu. Shpresojmë të japim edhe më shumë.
Keni shënuar në 4 ndeshje radhazi, me golin e fundit kundër Juventusit, në ditëlindjen tuaj. Cilin gol vlerësoni më shumë?
Nuk kam shënuar ende gola spektakolarë, por mendoj se ai kundër Juventusit ishte më i rëndësishmi. Edhe pse nuk na solli tri pikët, ishte gjithsesi një ndeshje shumë e bukur.
Tani ju pret Monza, ish-skuadra juaj. A do të përjetoni sërish emocionet e asaj periudhe?
Po, te Monza jam ndier gjithmonë shumë mirë dhe po përjetoj disi të njëjtat emocione që kam këtu, në Cagliari. Do të jetë një ndeshje e veçantë.
Çfarë keni gjetur te Cagliari që po ju ndihmon të luani kaq mirë?
Patjetër, kam gjetur shumë besim nga klubi, stafi dhe shokët e skuadrës. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme për mua dhe ajo që më lejon të jap më të mirën në fushë.
Ju, babai dhe gjyshi; tre breza, tri fanella të kaltërta dhe një mbiemër. Çfarë ndieni?
Patjetër, është një arsye për krenari. Të veshësh fanellën e kombëtares italiane mendoj se është ëndrra e çdo djali, sidomos kur është fëmijë. Edhe fakti që, kur hyn brenda, sheh fotografitë e babait ose të gjyshit, më përcjell emocione vërtet të mëdha.
Mbiemri Maldini është një trashëgimi e madhe. Sot e përjetoni si barrë apo si arsye për krenari?
Mendoj se çështja e barrës tashmë është kapërcyer. Ka qenë gjithmonë kështu, ndaj jam mësuar disi. Për mua është më shumë një gëzim sesa peshë.
Çfarë do të thoshte gjyshi juaj, Cesare, po t’ju shihte sot në kombëtare?
Patjetër që do të ishte shumë i lumtur. Mendoj se kjo do të ishte gjëja që do t’i interesonte më shumë. Gjithçka tjetër do të vinte më pas, lumturia është parësore.
Çfarë do të dëshironit të shihte ai te njeriu dhe futbollisti që jeni bërë?
Mendoj se ai tashmë e di se si jam, ndaj do të kishte pak për të thënë. Nga ana futbollistike, do të kisha dashur të shihte paraqitjet e mia në fushë. Gjithçka tjetër, sipas meje, është më pak e rëndësishme.
Për vite me radhë keni qenë djali i Paolos dhe nipi i Cesares. Sa rëndësi ka sot që njerëzit t’ju njohin për atë që jeni?
Sinqerisht, nuk më intereson shumë. Kanë folur gjithmonë shumë për mua dhe mendoj se kjo është normale. Gjykimi i të tjerëve nuk më ka ndikuar shumë, ndaj nuk i kushtoj rëndësi të madhe.
Pra, fusha është vendi ku dëshironi të tregoni vlerat tuaja?
Sigurisht, e rëndësishme është gjithmonë të tregosh atë që di të bësh. Megjithatë, gjykimin e të tjerëve e kam konsideruar gjithmonë diçka me pak rëndësi.
Mancini ju ka përfshirë në projektin e tij për kombëtaren. Sa i kënaqur jeni dhe sa dëshironi të bëheni protagonist?
Jam patjetër shumë i lumtur. Trajneri arrin të të përcjellë një qetësi të admirueshme, sepse edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, ai di si të të mbajë të qetë dhe të ndihmojë që ato të marrin drejtimin e duhur.
Edhe Pisacane di t’ju përcjellë qetësi. Sa rëndësi ka të ndihesh i kuptuar nga trajneri?
Mendoj se ta bësh një futbollist të ndihet mirë është gjëja më e rëndësishme. Nëse trajneri arrin ta bëjë të ndihet mirë, krijohet automatikisht një mekanizëm shumë pozitiv, që mund të çojë drejt arritjeve të mëdha.
Nëna, babai dhe vëllai juaj. Sa të rëndësishëm kanë qenë në momentet e vështira?
Janë thelbësorë, janë forca ime dhe kanë qenë gjithmonë të tillë, sidomos kur gjërat shkojnë keq. Ata janë gjithçka për mua: vëllai, mamaja dhe babai. Më kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Kohët e fundit keni kaluar një periudhë të vështirë. Sa rëndësi pati mbështetja e familjes?
Po, dua të shtoj se kam bërë një marrëzi dhe, me të drejtë, po paguaj për atë që kam bërë. Por mendoj se është e drejtë të mos paguaj për gjëra që nuk i kam bërë. Tani e vërteta do të dalë në dritë, dhe ajo tashmë dihet. E rëndësishme është që e gjitha kjo ka kaluar dhe se familja ime më ka qëndruar pranë. Kemi vazhduar përpara dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Jeni përballur me shumë ligësi, si e keni përballuar gjykimin e të tjerëve?
Po, me shumë ligësi, por mendoj se është normale. Siç thashë më parë, gjykimi i të tjerëve është pothuajse i parëndësishëm. Ligësia vjen, por më pas largohet. Kjo është gjëja e rëndësishme.
Çfarë marrëdhënieje keni me nënën tuaj?
Është e veçantë, si marrëdhënia e të gjitha nënave me fëmijët e tyre, por ne kemi një raport të mrekullueshëm. Ajo vjen shpesh këtu, në Cagliari, dhe i pëlqen të qëndrojë me mua. Është një marrëdhënie e veçantë ajo mes nënës dhe djalit.
Kur ishit fëmijë, e shihnit babanë si një superhero?
Po, gjithmonë e kam parë si një superhero, megjithëse e kam përjetuar këtë gjë në mënyrë mjaft normale. Për mua ka qenë gjithmonë diçka e natyrshme, edhe pse ndoshta nuk ishte e tillë.
A i keni realizuar ëndrrat e atij fëmije?
Po, mund të them se shumë ëndrra janë realizuar, por vazhdoj të kem ëndrra të reja. Është e rëndësishme të kesh gjithmonë të tilla.
Cila është ëndrra juaj e radhës?
Për shembull, të luaj në një Botëror me Italinë ose të jem një pjesë thelbësore e kombëtares. Mendoj se kjo është ëndrra e çdo djali.
Çfarë do t’i thoshit sot atij fëmije?
Do t’i thosha të qëndronte i qetë dhe të mos mendonte për gjërat disi të parëndësishme, për atë që thonë njerëzit. Do t’i thoja të vazhdonte të ishte i qetë, siç ka qenë gjithmonë. Jam mjaft i lumtur që e kam ruajtur këtë mënyrë të të qenurit.