Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të tyre dhe nevojën që institucionet t’u kushtojnë vëmendjen e duhur kërkesave të tyre.
Përmes një mesazhi, Cana vuri në pah se protestat studentore duhet të trajtohen me seriozitet dhe se prioritet i shoqërisë dhe institucioneve duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme përmes dialogut dhe marrëveshjes.
“Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht te ata, deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të qëndrueshme”, është shprehur Cana.
Ai gjithashtu nënvizoi rolin e studentëve në zhvillimin e vendit, duke i cilësuar ata si përfaqësues të së ardhmes dhe duke theksuar se mbështetja ndaj tyre është një investim i drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e shoqërisë.
Reagimi i plotë i Lorik Canës:
“Kur studentët ngrihen në protestë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, vëmendja dhe prioritetet e shoqërisë dhe të institucioneve duhet të përqendrohen plotësisht te ata deri në gjetjen e një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të qendrueshme. Studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit dhe investimi direkt në mbarëvajtjen e shoqërisë”.