Monday, 19. October 2026
Sport

Turizmi kulturor në Sarandë, Galeria e Arteve pret vizitorë edhe gjatë tetorit

GS 19/10/2026 2 Min. Lesezeit

Vizita në Sarandë nuk përfundon gjithmonë në shëtitore apo buzë detit. Për disa nga grupet turistike që mbërrijnë në qytet, një ndalesë është edhe Galeria e Arteve, ku udhëtimi merr një dimension kulturor.

Sipas drejtuesit të galerisë, Lefter Çako, vizitorët kanë vijuar të mbërrijnë edhe pas muajve të pikut të sezonit veror, kryesisht në grupe nga vendet fqinje. Gjatë verës, interesi ka qenë më i lartë, veçanërisht nga të rinjtë.

“Kjo verë e sivjetshme ka qenë plot vizitorë, çka do të thotë se kishim rininë që udhëhoqi pjesën më të madhe të vizitorëve dhe në shtator u pasurua me ardhjen e turistëve familjarë.”

Gjatë muajit tetor, galeria vijon aktivitetin me ekspozita të ndryshme, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen me punime artistike edhe jashtë sezonit veror. Përtej numrit të vizitorëve, këto ndalesa krijojnë një lidhje mes udhëtimit turistik dhe jetës kulturore të qytetit.

“Si vjet, është shtrirë në kohë vizitueshmëria e pushuesve dhe e vizitorëve, të cilët tani vijnë me grupe nga shtetet fqinje dhe me kroçera, kuptohet të programuara, që vizitojnë muzeun tonë dhe sidomos Galerinë e Arteve.”

Në Sarandë, vizitat turistike vijojnë edhe në vjeshtë, ndërsa hapësirat kulturore mbeten pjesë e itinerarit të disa prej udhëtarëve. Për Galerinë e Arteve, ekspozitat e tetorit janë një mundësi për të mbajtur gjallë aktivitetin edhe përtej sezonit të verës.

Gazetare: B. Gjyli

/rtsh.al/

 

Teilen: