Stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i mbushur plot për përballjen mes Shqipërisë dhe Finlandës, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të disponueshëm për shitje online edhe sektorët V dhe S, të pozicionuar pas portave, për tifozët kuqezi.
Sipas skemës së publikuar të biletave, asnjë sektor nuk rezulton i rezervuar për mbështetësit e Finlandës, duke u lënë hapësirë tifozëve shqiptarë të mbushin shkallët e stadiumit.
Interesi për këtë sfidë duket i lartë, pasi deri një ditë më parë raportohej se ishin shitur mbi 15 mijë bileta. Ndeshja Shqipëri–Finlandë është planifikuar të luhet më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit në Tiranë, ku vijojnë protestat studentore, kanë ndikuar edhe në organizimin e aktiviteteve sportive. Për shkak të situatës, Egnatia është detyruar të ndryshojë stadiumin për ndeshjen e saj në Europë, pasi takimi nuk mund të zhvillohej në “Air Albania”.
Megjithatë, FSHF duket se po vijon përgatitjet për ndeshjen e kombëtares, me pritshmërinë që stadiumi të jetë i tejmbushur nga tifozët kuqezi.