Monday, 19. October 2026
Sport

Dita e 7-ë, protestuesit sulmojnë me molotovë dhe mjete piroteknike, policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

GS 19/10/2026 2 Min. Lesezeit

Dita e shtatë e protestës është shoqëruar me një përshkallëzim të tensioneve gjatë orëve të mbrëmjes, ku grumbullimet e të rinjve kaluan në përplasje të hapura me forcat e rendit përgjatë disa prej nyjeve kryesore të kryeqytetit.

Grumbullimi fillestar u regjistrua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë. Më pas, turma lëvizi në mënyrë të organizuar drejt Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Skënderbej”, ku edhe situata mori një rrjedhë më agresive. Në këtë zonë, nga turma nisi të hidhen bomba Molotov dhe breshëri me fishekzjarre në drejtim të forcave të policisë.

Përballë përshkallëzimit të dhunës, efektivët e Policisë së Shtetit ndërhynë me mjete të posaçme për kontrollin e turmës. Siç konfirmohet nga raportimet nga terreni, policia u kundërpërgjigj duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën e mbledhur, ndërsa përballej me goditjet e vazhdueshme me lëndë piroteknike.

Me shpërndarjen e bërthamës kryesore nga sheshi, përplasjet u fragmentuan në disa rrugë dytësore dhe zona banimi. Grupe protestuesish vijuan të hidhnin sende të forta dhe t’u vinin zjarrin kazanëve të mbeturinave te zona e “9 Katësheve” dhe përgjatë Rrugës së Dibrës.

Kjo bëri që forcat e rendit të nisnin një aksion operativ te zona e Medresesë për të ndjekur dhe kapur personat që kryenin aktet e dhunshme. Ky përshkallëzim i orëve të mbrëmjes pason incidentet e mëhershme të ditës pranë Ministrisë së Arsimit dhe dhunimi i Gjykatës së Apelit, për të cilën u identifikuan 20 persona dhe u arrestuan 5 prej tyre.

/rtsh.al/

 

Teilen: