Kampionia dhe nënkampioni i Kosovës në basketboll, do të vazhdojnë me garat evropiane këtë mesjavë, pasi do të luajnë në kuadër të xhiros së tretë të fazës grupore në FIBA Europe Cup.
Trepça luan në shtëpi kurse Bashkimi në udhëtim, sot nga ora 18:30, në kuadër të Grupit A, përkatësisht Grupit F.
Trepça në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të përballet me ekipin nga Çekia, Opava dhe të dyja skuadrat kanë bilancin e njëjtë pas dy xhirove të para, duke regjistruar nga një fitore dhe një humbje.
Skuadra mitrovicase është e motivuar për këtë ndeshje pas fitores javën e shkuar në Split, ndërsa edhe Opava triumfoi në udhëtim te Batumi dhe atë me 40 pikë dallim.
Ndërkohë, Bashkimi luan në Estoni ndaj Bigbank/Kalev që pas dy ndeshjeve të para ka regjistruar një fitore dhe një disfatë.
Për dallim prej Bigbank/Kalev, Bashkimi ka një ndeshje më pak të zhvilluar pasi javën e shkuar nuk udhëtoi të përballet me Manchesterin si pasojë e procedurës së vizave.
Dueli Manchester – Bashkimi, është shtyrë por ende nuk është caktuar data e këtij dueli për ekipin kosovar, i cili e nisi sezonin në FIBA Europe Cup me fitore, duke e mposhtur Valmieran e Letonisë.