Wednesday, 21. October 2026
Sport

Pedagogët i bashkohen protestës së studentëve, Kovaçi: Bojkot mësimit në të gjitha universitetet deri në një njoftim të dytë

GS 21/10/2026 5 Min. Lesezeit

Pedagogët kanë dalë sërish këtë të mërkurë (21 tetor) në protestë në mbështetje të studentëve dhe nxënësve, të cilët prej nëntë ditësh vijojnë tubimet për plotësimin e kërkesave të tyre dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), Sandër Kovaçi, ka bërë të ditur se sindikata ka vendosur bojkotimin e mësimdhënies në të gjitha universitetet e vendit, në shenjë solidariteti me protestuesit dhe në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore. Ashtu siç kishin paralajmëruar, pedagogët janë mbledhur sërish përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, ku kanë shprehur mbështetjen për studentët dhe nxënësit që vijojnë protestën prej nëntë ditësh. Përfaqësuesit e sindikatës kanë deklaruar se vendimi për bojkotimin e mësimit vjen si reagim ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj studentëve e protestuesve.

Gjatë prononcimit për mediat, kreu i SPUSH-it, Sandër Kovaçi, bëri të ditur se vendimi për bojkotin ishte marrë nga kryesia e sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët. Sipas tij, bojkoti ka nisur këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

“Sindikata ka bërë një vendim për organizimin e bojkotit në mbështetje të studentëve dhe vazhdojmë me moton: ‘I gjendemi pranë studentëve, jo dhunës ndaj studentëve’”, deklaroi Kovaçi.

Ai sqaroi se vendimi i sindikatës parashikon ndërprerjen e mësimdhënies në të gjitha universitetet e Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar këtë hap si një formë solidariteti me studentët dhe nxënësit, si dhe si një qëndrim në mbrojtje të së drejtës së tyre për t’u shprehur dhe protestuar në mënyrë paqësore.

“Kryesia e sindikatës, në mbledhjen e datës 20 tetor, në sheshin e protestës së studentëve, vendosi njëzëri shpalljen e bojkotit të mësimdhënies në të gjitha universitetet e Republikës së Shqipërisë, në solidaritet me studentët, nxënësit dhe në mbrojtje të së drejtës së tyre për protestë paqësore. Bojkoti fillon nga sot dhe vijon deri në një njoftim të dytë”, u shpreh kreu i sindikatës.

Duke shpjeguar arsyet që kanë çuar në vendimin për bojkot, Kovaçi theksoi se pedagogët mbështesin kërkesat e studentëve dhe nxënësve për përmirësimin e cilësisë së arsimit, shëndetësinë dinjitoze, garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës, si dhe rritjen e llogaridhënies nga ana e qeverisë. Sipas tij, stafi akademik nuk mund të vijojë procesin mësimor sikur asgjë të mos ketë ndodhur, ndërkohë që studentët e tyre janë pjesë e protestave dhe, sipas pretendimeve të ngritura, janë përballur me dhunë.

“Studentët protestojnë për arsim cilësor, shëndetësi digjitale, siguri jete e prone dhe për të drejtën e llogaridhënies së qeverisë. Pedagogët s’mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht kur studentët e tyre goditen në dhunë”, deklaroi Kovaçi.

Ai shtoi se shqetësimet e pedagogëve nuk lidhen vetëm me zhvillimet brenda universiteteve, por edhe me situatën më të gjerë politike dhe ekonomike në vend, duke përmendur mungesën e llogaridhënies dhe të meritokracisë.

“Pedagogët ndajnë të njëjtat opinione me studentët në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, mungesën e llogaridhënies dhe meritokracisë”, u shpreh kreu i SPUSH-it.

Një prej kërkesave kryesore të parashtruara nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë lidhet me ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, si dhe me hetimin e veprimeve të forcave të rendit gjatë protestave. Kovaçi bëri të ditur se sindikata kërkon një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës që prej datës 13 tetor, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që, sipas saj, kanë drejtuar apo ushtruar dhunën.

“Sindikata kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve e protestuesve paqësorë; hetim të pavarur e transparent për përdorimin e forcës nga data 13 tetor e në vijim dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e kanë udhëhequr e ushtruar këtë dhunë”, deklaroi ai.

Gjithashtu, sindikata kërkon që çdo student i shoqëruar nga policia të trajtohet në mënyrë të ligjshme dhe dinjitoze, ndërsa institucionet përgjegjëse të marrin në shqyrtim kërkesat e parashtruara nga studentët. “Kërkojmë trajtimin e ligjshëm e dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar, plotësimin e kërkesave të studentëve”, theksoi Kovaçi.

/rtsh.al/

Teilen: