Protesta e studentëve vijon për të nëntën ditë radhazi, ndërsa në tubim janë bashkuar edhe pedagogë nga universitetet e vendit.
Pas protestës para Kryeministrisë, pjesëmarrësit kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku po vijojnë tubimin.
Ndërkohë, policia është në gatishmëri duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe sigurimit të mbarëvajtjes së protestës.

Protesta para Kryeministrisë, studentët përmbysin karriget e dialogut, refuzojnë ftesën e Ramës
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë përmbysur karriget që kryeministri Edi Rama vendosi këtë mëngjes si shenjë të gatishmërisë për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Përmbysja e karrigeve ka tensionuar situatën para godinës së Kryeministrisë, ndërsa në vendngjarje ka ndërhyrë edhe policia për qetësimin e situatës. Studentët kanë refuzuar kështu ftesën për dialog, duke vijuar qëndrimin e tyre për plotësimin e kërkesave.
Pak më herët, pedagogët dolën në protestë në mbështetje të studentëve dhe nxënësve, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës.
Përfaqësuesit e sindikatës kanë njoftuar gjithashtu bojkotimin e mësimit, si reagim ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj studentëve dhe protestuesve.
Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i SPUSH-it, Sandër Kovaçi, deklaroi se vendimi për bojkot ishte marrë nga kryesia e sindikatës në mbledhjen e zhvilluar më 20 tetor, në sheshin ku po protestojnë studentët.
Sipas Kovaçit, bojkoti ka nisur këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
/rtsh.al/