Sot në kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, mësimi u zhvillua pjesërisht. Një pjesë e pedagogëve ishin të pranishëm, por në disa auditorë mësimi po zhvillohej me numër të ulët studentësh, ndërsa ka edhe salla të tjera që janë bosh. Ndërkohë, pjesa tjetër e pedagogëve janë në mbështetje të protestës në Tiranë.
Ndërkohë, shkrimet në mure që u bënë një ditë më parë nga studentët, ku përcilleshin mesazhe si: “Turp për pedagogët që nuk mbështesin!”, “Ne duam të drejtat tona”, “Ne kërkojmë të drejtat tona” etj., sot është tentuar të fshihen, por gjithsesi gjurmët e tyre mbeten lehtësisht të dukshme.
Edhe Universiteti i Korçës sot paraqet tri tablo: mësim, bojkot dhe protestë. Këshilli Studentor ka vendosur që bojkoti të vijojë çdo ditë, ndërsa studentët shprehen se distancohen nga çdo akt dhune.
Një pjesë e pedagogëve i janë përgjigjur thirrjes për bojkot, megjithëse numri i tyre ka qenë i kufizuar.
Ndërkohë, studentët bëjnë të ditur se bojkoti do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se synimi i tyre është të shprehin qëndrimin në mënyrë paqësore dhe të distancohen nga çdo formë dhune apo veprim i dhunshëm.
Në Universitetin e Gjirokastrës vijon normalisht procesi mësimor. Studentë dhe pedagogë gjenden në auditore, pavarësisht thirrjes së Sindikatës së Universiteteve për bojkot të mësimdhënies.
“Auditorët janë me studentë, pedagogët janë të gjithë në punë dhe asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhet. Natyrisht, unë si rektor i universitetit e mbështes çdo lëvizje studentore. Jam dakord që gjithkush të ketë të drejtën kushtetuese për të protestuar dhe për të shprehur opinionin e tij mbi zhvillimet e fundit. Por realisht nuk kemi asnjë indicie nga studentët apo nga grupet e pedagogëve që të kërkojnë bojkotimin e mësimit dhe vazhdimin e protestave”, u shpreh rektori.
Edhe në Shkodër, në ambientet universitare situata është paraqitur si në një ditë të zakonshme akademike. Pavarësisht thirrjes së Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë për bojkot të mësimdhënies, sipas burimeve të brendshme, përfshirja e pedagogëve shkodranë në këtë nismë mbetet ende në fazë shqyrtimi.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/