Friday, 23. October 2026
Futboll

Loftus-Cheek: Rinovimi me Milanin? Ende herët për të folur, mendoj vetëm për fushën

GS 23/10/2026 2 Min. Lesezeit

Mesfushori anglez flet për objektivat e kuqezinjve, idetë e trajnerit Amorim dhe të ardhmen e tij, ndërsa kontrata me Milanin po shkon drejt fundit: “Është gjithmonë bukur të kthehesh në shtëpi, këtu në Angli. Kam kujtime të bukura nga ky vend, por mbaj mend edhe disa ndeshje të vështira”. Kështu u shpreh Ruben Loftus-Cheek në një intervistë për “Sky Sport”, në prag të ndeshjes së “Europa League” kundër Bournemouth.

Mesfushori anglez, në sezonin e tij të katërt me fanellën kuqezi, foli edhe për filozofinë e trajnerit Amorim dhe përshtatjen e skuadrës me idetë e tij: “Besoj se çdo trajner ka stilin e vet të lojës dhe parimet që dëshiron t’ia përcjellë skuadrës. Trajnerit i pëlqen ta ketë topin në zotërim, mendoj se edhe ne kemi karakteristikat e duhura për t’i vënë në praktikë këto ide. Po përshtatemi me mënyrën e tij të lojës dhe besoj se momenti që po kalon skuadra është shumë pozitiv”.

I pyetur për nivelin aktual të Milanit dhe ambiciet e “Djallit”, mesfushori anglez theksoi se objektivat mbeten të larta, por ndërtimi i një ekipi konkurrues kërkon kohë: “Duam të rikthehemi në Champions League dhe të fitojmë trofe. E dimë që tifozët kërkojnë shumë dhe kanë të drejtë, por besoj se në futboll duhet kohë për të ndërtuar diçka të rëndësishme. Gjatë këtij procesi do të ketë edhe ulje-ngritje. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort”.

Kontrata e Loftus-Cheek me Milanin po shkon drejt përfundimit, çka e bën të paqartë të ardhmen e tij në klubin italian. Megjithatë, anglezi nuk dëshiron që vëmendja të largohet nga futbolli dhe ndeshjet e radhës: “Besoj se është e drejtë të flasim vetëm për futbollin dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Për mua, kjo është gjëja më e rëndësishme. Ndihem shumë mirë këtu. Është krenari të luash me këto ngjyra dhe jam i nderuar që e bëj këtë, por për të folur për rinovimin apo të ardhmen është ende herët”.

Teilen: