Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore bindëse ndaj Estonisë, me rezultat 39:22, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.
Vashat e Kosovës e dëshmuan epërsinë e tyre që nga minutat e para të takimit, duke dominuar lojën dhe duke mbajtur vazhdimisht kontrollin e rezultatit.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi të thellë të Kosovës, 19:10, ndërsa në pjesën e dytë hendbollistet kosovare vazhduan me paraqitje të sigurt, duke e thelluar edhe më shumë diferencën deri në rezultatin përfundimtar 39:22.
Kjo fitore përbën një nisje pozitive për Kosovën në rrugëtimin kualifikues drejt Botërorit 2027, me synimin për të vazhduar me rezultate të mira edhe në sfidat e ardhshme.
Kosova dhe Estonia do të përballen nesër mbrëma sërish në Prishtinë, në sfidën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027.