Saturday, 24. October 2026
Sport

Studentët, opozita dhe qytetarët protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Sulmohet me gurë godina

GS 24/10/2026 5 Min. Lesezeit

Protestues dhe studentë janë mbledhur para godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa u janë bashkuar edhe protestuesit demokratë të cilët fillimisht u vendosën para Kryeministrisë për të marshuar më pas në drejtim të studentëve. Protesta para Ministrisë së Arsimit filloi e qetë ndërsa më pas godina u sulmua me gurë. Nga ana e saj, Policia është përgjigjur me ujë kundrejt protestuesve.

Përveç studentëve që kërkojnë kushte më të mira arsimore dhe të ardhme brenda vendit, në shesh janë pranishëm edhe pedagogë, mjekë, artistë si dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Perimetri rreth Ministrisë së Arsimit është rrethuar nga forca të shumta të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa protestuesit vijojnë me thirrje, parulla dhe reagime kundër politikave të qeverisë.

Policia e Shtetit shton masat për protestën e sotme, Nushi: Personat e dhunshëm do të përballen me ligjinNga ana e saj, Policia e Shtetit ka rritur masat e sigurisë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune.

Shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Nushi, deklaroi se personat e dhunshëm do të përballen me pasojat ligjore, ndërsa vuri theksin te rëndësia e zhvillimit paqësor të tubimit.

Sipas zyrtarit të lartë të policisë, ky mobilizim vjen pas monitorimit të shkeljeve dhe paralajmërimeve në rrjetet sociale.

“Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike,” shpjegoi Nushi.

Ai bëri me dije se strukturat hetimore kanë konstatuar nxitje për veprime të paligjshme edhe gjatë orëve të fundit.

“Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private. Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore,” u shpreh ai.

Lidhur me përpjekjet për t’iu shmangur drejtësisë, Albert Nushi nënvizoi se masat e sigurisë do të jenë strikte për çdo shkelës.

“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore,” tha ai, duke i bërë thirrje drejtpërdrejt qytetarëve: “Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.”

Rama: Protesta paqësore na çon te dialogu, shumë shpejt me masa si Italia dhe FrancaMë herët, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kryeministri Edi Rama u ndal te qëndrimi i qeverisë ndaj protestave të zhvilluara së fundmi, duke theksuar dallimin e qartë mes të drejtës kushtetuese për të protestuar dhe akteve të dhunshme.

Kreu i qeverisë bëri me dije se po punohet si për adresimin e kërkesave sociale, ashtu edhe për marrjen e masave të reja ligjore për garantimin e rendit publik, mbështetur në modelin e vendeve si Italia dhe Franca.

Gjatë fjalës së tij, Rama nëvizoi se liria për të shprehur pakënaqësitë është e pamohueshme, por qëllimi përfundimtar i çdo tubimi duhet të jetë dialogu me institucionet.

“Protesta është një e drejtë që askush nuk mund ta mohojë. Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu,” u shpreh ai.  Rama u ndal edhe te përgjigja institucionale, ku u shpreh se po punohet në dy drejtime kryesore, mbështetjen sociale për shtresat që përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe forcimin e kuadrit ligjor për sigurinë publike.

“Në anën e sigurisë, në anën e garantimit të gjithë liri e të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete,” deklaroi ai.

/rtsh.al/

Teilen: