Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër vijon të tërheqë interesin e vizitorëve, të cilët kërkojnë të njihen nga afër me të kaluarën e Shqipërisë gjatë regjimit diktatorial.
Sezoni veror ka qenë pozitiv për këtë muze, ku ndër vizitorët kryesorë kanë qenë turistët amerikanë, polakë dhe italianë, por edhe shtetas nga vende të tjera.
Specialisti i muzeut, Xherardo Nikjari, tregon se interesi i vizitorëve ka qenë i vazhdueshëm, duke e kthyer këtë objekt në një nga pikat e rëndësishme të turizmit historik në qytetin e Shkodrës.
“Kanë dominuar grupe të ndryshme, por gjithashtu edhe turistë individual nga periudha e verës, pra në qershor deri në ditët e fundit të shtatorit. Veçoj këto grupet polake, por edhe grupet amerikane të cilët kanë ardhur të organizuar në muzeun tonë. Për sa i përket turistëve individualë kanë mbizotëruar turistë italianë, turistë nga Spanja dhe gjithashtu turistë holandez dhe ata gjermanë”, tha ai.
Sipas Nikjarit, qelitë e muzeut ngjallin interes të veçantë, pasi dëshmojnë drejtpërdrejt vuajtjet dhe persekutimin e të burgosurve politikë gjatë diktaturës komuniste.
“Një nga hapësirat tona më të vizituara sigurisht brenda mjediseve të ish burgut është qelia e Zef Pllumit dhe gjithashtu dhoma e torturave e cila zyrtarisht është njohur edhe si dhoma e hetuesisë”, tha ai.
Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” mbetet një hapësirë e rëndësishme për ruajtjen e kujtesës historike, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen me një nga periudhat më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/