Wednesday, 28. October 2026
Futboll

Carabao Cup/ Arsenal u eliminua nga një ekip i Ligës së dytë, Arteta: Kemi detyrën ta përfaqësojme me nder këtë fanellë

GS 28/10/2026 2 Min. Lesezeit

Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka mbetur i trishtuar nga skuadra e tij pas eliminimit nga Carabao Cup, ndaj Fleetwood, një ekip që militon në Ligën e dytë angleze. “Përgëzime për Fleetwood që u kualifikua në raundin tjetër, për mënyrën se si e arritën këtë”, tha spanjolli.

“Një ditë vërtet e trishtë për ne. Nuk mund t’i vë faj lojtarëve për qëndrimin e tyre, nuk pashë askënd që të mos bënte atë që kërkohet në këtë nivel. Megjithatë, ne patëm zotërim të madh të topit, krijuam shumë raste dhe bëmë shumë goditje”, deklaroi më tej Arteta.

“Nëse dëshironi që diferenca të jetë më e madhe sesa të shkoni te penalltitë, duhet t’i shfrytëzoni këto mundësi. Ne nuk e bëmë këtë dhe në futboll pikërisht për këtë bëhet fjalë, për mundësitë dhe ne nuk i shfrytëzuam ato”, tha Arteta.

Më tej, ai sqaroi: “Nuk kishte të bënte me qëndrimin, përndryshe do të isha këtu tejet i zemëruar. Jam i trishtuar, të gjithë jemi të trishtuar. Duke parë atë që prodhuam në fushë, kjo duhej të pasqyrohej edhe në rezultatin përfundimtar.”

“Ne kemi përgjegjësinë ta përfaqësojmë këtë stemë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk kishte të bënte me përpjekjet, angazhimin apo vendosmërinë për të fituar, thjesht na munguan gjëra të tjera për të krijuar një diferencë më të thellë”, shtoi spanjolli.

Teilen: