Thursday, 29. October 2026
Sport

Durrës/Ministrja Spahiu: Prioritet, forcimi i shërbimeve komunitare dhe zgjerimi i mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta

GS 29/10/2026 3 Min. Lesezeit

Pas transformimit të qendrave rezidenciale për fëmijë në Korçë dhe Vlorë, reforma e shërbimeve të kujdesit social po shtrihet edhe në Durrës dhe Shkodër, me synimin për të konsoliduar një model të ri kujdesi, të mbështetur te familja, komuniteti dhe nevojat individuale të çdo fëmije.

Në kuadër të këtij procesi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi qendrën rezidenciale për fëmijë në Durrës, e cila po transformohet sipas modelit shtëpi-familje, duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm për mirërritjen, zhvillimin dhe integrimin social të fëmijëve pa kujdes prindëror.

Gjatë vizitës, ministrja Spahiu vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë për  kontributin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e shërbimeve sociale për fëmijët.

Duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të këtij modeli në nivel kombëtar, ministrja nënvizoi nevojën për zhvillimin e shërbimeve që u përgjigjen drejtpërdrejt kërkesave të komuniteteve dhe ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për familjet në situata vulnerabiliteti.

“Këto lloj projektesh duhet  të përshtaten me nevojat e komuniteteve dhe të jenë më të shumta në numër duke adresuar dhe kërkesat e zonave të caktuara. Mund të ketë zona që mund të jenë më evidente problematikat dhe ne mund t’i mbështetim më shumë”, theksoi ministrja Spahiu.

Ministrja Spahiu theksoi se një drejtim i rëndësishëm i kësaj reforme do të jetë edhe zgjerimi i gamës së shërbimeve të specializuara, përfshirë mbështetjen për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, me qëllim garantimin e një kujdesi më gjithëpërfshirës, të aksesueshëm dhe të përshtatur me nevojat e tyre zhvillimore.

Qendrat e Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen ofrojnë kujdes alternativ, mbështetje psikosociale dhe edukative, duke synuar parandalimin e institucionalizimit dhe fuqizimin e familjeve.

Ky model, i zhvilluar në Korçë, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, mbështetet nga programi EU4SocialCare, i zbatuar nga UNICEF në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Spciale dhe NISMA ARSIS. Prej marsit 2026, shërbimi në Durrës financohet nga bashkia, përmes Fondit Social dhe burimeve vendore, duke garantuar qëndrueshmërinë e tij.

/rtsh.al/

Teilen: