Humbja e rëndë e Juventusit në transfertë ndaj Genoa, e drejtuar nga Daniele De Rossi, ka shtuar shqetësimet te bardhezinjtë. Kritikat pas ndeshjes në “Ferraris” kanë qenë të ashpra, veçanërisht ndaj trajnerit Luciano Spalletti dhe lojtarëve me përvojë. Ish-sulmuesi dhe analisti i “Sky Sport”, Paolo Di Canio, veçoi Andrea Cambiaso dhe Pierre Kalulu:
“Titullin kampion nuk e kam menduar kurrë si objektiv përe Juventusin, por nuk e imagjinonim një diferencë kaq të madhe. Problemi është mënyra si vijnë këto rezultate. Kjo skuadër nuk ka identitet, nuk ka shpirt. Mund ta ndryshosh sistemin dhe të fitosh ndaj ndonjë ekipi, por nuk shoh dritë në fund të tunelit”.
Ai kritikoi edhe gabimet individuale, duke u ndalur te Cambiaso: “Kalulu, që deri para pak muajsh ishte një garanci për besueshmërinë e tij, vazhdon të bëjë gabime. Ndërsa Cambiaso vrapon keq, duke e ndjekur kundërshtarin si një fëmijë, në vend që të shkojë drejt portës së tij, që është përparësia, dhe ta pengojë kundërshtarin të rikthejë topin. Pastaj vjen goditja e dytë dhe goli. Te Juventusi është vërtet kaos total. Nuk arrij të kuptoj se si Spalletti mund të gjejë një zgjidhje”.