Kryeparlamentari Niko Peleshi ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-deputetit, diplomatit dhe publicistit Bashkim Zeneli, duke shprehur ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij. Përmes një mesazhi, Peleshi e ka cilësuar lajmin si të trishtueshëm, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Zenelit në politikë, veprimtarinë parlamentare dhe diplomacinë shqiptare.
Ai e ka përshkruar si një prej intelektualëve të hershëm të Partisë Socialiste, i cili ia kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik. Kryeparlamentari vlerësoi gjithashtu angazhimin e tij si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke theksuar rolin që luajti në forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe partnerët ndërkombëtarë.
“I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, diplomat dhe publicist, intelektual i radhëve të hershme në Partinë Socialiste, i cili i kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik.
Me kontributin politik, veprimtarinë parlamentare dhe në detyrën e ambasadorit në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli dha një kontribut të çmuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë. Me shkrimet dhe kujtimet e tij, ai la gjithashtu një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare”, thuhet në postimin e Peleshit.
Peleshi nënvizoi se përmes shkrimeve dhe kujtimeve të tij, Bashkim Zeneli la një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare.
/rtsh.al/