Gjetja e shërbimeve dhe plotësimi i formularëve në portalin qeveritar e-Albania pritet të jetë më i thjeshtë për qytetarët. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se 19 shërbime tashmë mund të përdoren përmes asistentes virtuale Diella, e cili i udhëzon përdoruesit hap pas hapi, nga identifikimi i shërbimit deri te plotësimi i formularëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u është drejtuar veçanërisht prindërve dhe gjyshërve, duke theksuar lehtësinë e përdorimit të këtij funksioni të ri.
Krahas kësaj, hyrja në portalin e-Albania mund të realizohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit të këtyre opsioneve.
Për të shpjeguar mënyrën e përdorimit, kreu i qeverisë ka publikuar edhe një video udhëzuese, ku demonstron se si qytetarët mund të kërkojnë shërbime të ndryshme, përfshirë informacionet mbi pensionin, regjistrimin për herë të parë te mjeku i familjes apo procedurat në rast humbjeje të pasaportës.
“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania
19 shërbime tashmë më të lehta për t’u përdorur, ndërsa hyrja në e-Albania mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit. Ndiqni udhëzimet në video dhe shikoni sa e thjeshtë është”, shkruan kryeministri Edi Rama.
/rtsh.al/