Edon Zhegrova ka lënë sërish gjurmë me paraqitjen e tij në elitën e futbollit italian, kësaj radhe në fitoren e rëndësishme 2-0 të Juventusit kundër Napolit.
Sulmuesi anësor i Kombëtares së Kosovës u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes dhe solli menjëherë energji e rrezikshmëri në fushë. Për paraqitjen e tij gjatë atyre rreth 30 minutave, ai është vlerësuar me notën e lartë 7.5 nga media italiane, duke u renditur i dyti më i vlerësuar në skuadër, menjëherë pas autorit të golit të parë, Alajbegoviç.
Megjithatë, kjo paraqitje e shkëlqyer ka rikthyer sërish në vëmendje një debat të hapur në Itali rreth statusit të tij në skuadër. Media e njohur Sportmediaset i ka kushtuar vëmendje faktit se Zhegrova vazhdon të lihet në stol, duke përdorur edhe pak ironi në formë shakaje:“Me sa duket, ai nuk di më si t’ia thotë trajnerit Spalletti, duke ditur që në 27 ndeshjet e kampionatit me Juventusin i ka nisur gjithmonë nga stoli. Madje, duket se edhe targën e makinës e ka personalizuar, duke shkruar: ‘Të lutem Luciano, më jep një shans nga minuta e parë, të lutem’”.
Analiza e mediave italiane ngre pikëpyetje të qarta se si një lojtar me aftësi kaq të veçanta, i cili di të krijojë kaos në mbrojtjen kundërshtare me driblimet e tij, nuk gjen hapësirë si titullar. Edhe pse mund të jetë lloji i lojtarit që ndryshon nga skemat e ngurta të trajnerit, pikërisht ky element befasie po tregon të jetë arma më efikase për torinezët.