Monday, 2. November 2026
Sport

Grabitje me armë në një bankë te Komuna e Parisit, autori i maskuar kërcënoi arkëtaren dhe rojen, largohet me monopatinë

GS 02/11/2026 2 Min. Lesezeit

Një grabitje me armë është regjistruar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku objektiv ka qenë një filial i një banke të nivelit të dytë.

Sipas informacioneve paraprake, autori ka hyrë në ambientet e bankës me fytyrën të mbuluar me një shall, në mënyrë që të mos identifikohej. Ai i është drejtuar arkëtares dhe, nën kërcënimin e armës, ia ka vendosur atë në kokë, duke e detyruar t’i dorëzonte paratë.

Pas marrjes së shumës së parave, autori është drejtuar nga dalja e bankës, ku ka kërcënuar me armë edhe rojën e sigurisë, duke i drejtuar armën për ta mbajtur të palëvizur dhe për të mos e lejuar të reagonte.

Më pas, grabitësi ka dalë nga banka, ka marrë një monopatinë dhe është larguar në drejtim të stadiumit “Dinamo”.

“Rreth orës 10:45, në zonën e Komunës së Parisit, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke të nivelit të dytë dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, dyshohet se ka marrë një shumë parash. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po mbledh prova dhe po punon për identifikimin e autorit. Policia po verifikon edhe itinerarin e largimit të tij, me qëllim kapjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.

/rtsh.al/

Teilen: