Monday, 2. November 2026
Futboll

Hansi Flick “nuk fshihet” para Aston Villa: Duam të fitojmë La Liga-n dhe Champions-in

GS 02/11/2026 5 Min. Lesezeit

Hansi Flick doli para mediave në prag të ndeshjes së katërt të fazës së ligës në Champions League, ku Barcelona do të përballet me Aston Villa. Trajneri gjerman vlerësoi maksimalisht kolegun spanjoll Unai Emery dhe skuadrën e Premier League, por shprehu besim te cilësia e të tijve për ta fituar ndeshjen dhe kompeticionin europian.

Mungesat – “Nuk po i bëjmë gjërat keq. Në ndeshjen e fundit kundër Alavés pati një gabim, por skuadra ruajti besimin. Po i bëjmë gjërat mirë”.

Christensen – “Duhet të presim për të parë se kur do të rikthehet. Dje u stërvit, por vetëm si lojtar neutral në ushtrime. Duhet të shohim si do të evoluojë gjendja e tij”.

Balde – “Mendoj se kjo situatë është normale. Kur nuk luan, të mungon besimi. Por, nga ajo që shoh në stërvitje, po i bën gjërat mirë. Është një alternativë e mirë, por vendimin duhet ta marr unë. João bëri një punë të shkëlqyer dhe është në nivel të mirë. Nuk është e lehtë. Duhet të zgjedh atë që është më e mira për ekipin.

Kjo nuk ka të bëjë me një person apo me mua; përqendrohem te skuadra. Fola me të pas konferencës së fundit për shtyp. E respektoj shumë Balde. Është shumë i ri, vjen nga ‘La Masia’ dhe po përpiqem ta ndihmoj të rifitojë besimin. Ai po punon për t’u kthyer në nivelin e mëparshëm. Është djalë i shkëlqyer dhe futbollist fantastik”.

Formacioni dhe kundërshtari – “Përqendrohem vetëm te një ndeshje; ajo kundër Aston Villa. Skuadra angleze po kalon një moment shumë të mirë dhe Emery është një nga trajnerët më të mirë në Europë. Ai e ka shumë të qartë mënyrën se si dëshiron të luajë dhe më pëlqen ajo që shoh prej tij.

Champions League është një kompeticion i veçantë në çdo ndeshje dhe të gjithë kundërshtarët janë të vështirë. Do të jetë një përballje e vështirë”.

Një javë e ngarkuar – “E dimë se në këtë nivel mund të ndodhë gjithçka. Rezultati kundër Real Madridit mund të kishte qenë ndryshe. Ne kemi besim. Kemi fituar 11 ndeshje radhazi, por ju përqendroheni te dy humbjet. Unë besoj tek ekipi im.

Duhet të mendojmë për Aston Villa dhe Champions League. Synojmë të përfundojmë mes tetë skuadrave më të mira”.

Gabimet në mbrojtje – “Kemi katër lojtarë të dëmtuar. Nëse analizon cilësinë e tyre, kupton se nuk është normale të përballesh me një situatë të tillë. Nuk është e lehtë, por kur shoh Frenkie de Jong, i cili pas dëmtimit të thotë se mund të luajë si qendërmbrojtës, apo edhe Brian, e kuptoj se kushdo që aktivizohet luan për skuadrën.

Pas ndërprerjes së kampionatit, shpresoj t’i kem të gjithë të rikthyer, përfshirë edhe Olmo”.

Gavi – “Nuk e shoh si alternativë për krahun e djathtë të mbrojtjes, por të gjithë i njohim cilësitë e tij. Gavi është gjithmonë një mundësi, por, kur nis ndeshja, kjo mundësi mund të zhduket dhe jo gjithmonë mund ta ndjekësh planin fillestar. Kam folur me të”.

Raphinha – “Nuk di shumë për futbollin brazilian, sepse nuk është puna ime, por këtu po luan në një nivel spektakolar. Cilësitë e tij më të forta janë të jashtëzakonshme dhe përshtaten me stilin tonë të lojës, si me topin, ashtu edhe pa të.

Është shumë i përqendruar, përshtatet me kundërshtarin dhe dallon hapësirat ku mund të sulmojë. Kemi edhe lojtarë që japin pasimin e fundit. Raphinha është kapiteni ynë dhe e ka treguar cilësinë që nga fillimi i sezonit”.

Kritikat pas humbjeve – “Nuk më habisin kritikat, sepse ky është realiteti. Duhet t’i dëshmosh gjërat në fushë. Ne luajtëm futbollin tonë më të mirë dhe nuk ka justifikime. Rezultatet mund të kishin qenë ndryshe.

Jemi në të njëjtin nivel me Real Madridin dhe PSG-në, por unë përqendrohem te ndeshjet e ardhshme dhe nuk kthej kokën pas, as te humbjet, as te fitoret.

Kemi cilësi të jashtëzakonshme për të arritur objektivat tona; të fitojmë La Liga-n dhe Champions League. Jam i bindur se kemi cilësinë e duhur dhe mund të shkruajmë historinë. Humbjet nuk kanë ndryshuar asgjë. Në futboll, për ju është normale të përqendroheni te humbjet, sepse ato janë më interesante”.

Unai Emery – “Është një nga trajnerët më të mirë në Europë dhe ndoshta edhe në botë. Ka arritur shumë suksese. Skuadra e tij luan me një strukturë të qartë, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Ai i ka të gjitha shumë të qarta.

Është e jashtëzakonshme të shohësh një skuadër si e tija dhe besimin që ka kur zotëron topin. Jackson po kalon një moment të jashtëzakonshëm. Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një skuadre të mirë dhe një trajneri të shkëlqyer”.

 

 

 

Teilen: