Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i mbështetur nga Europol dhe Eurojust, ka goditur një rrjet të dyshuar mashtrimi me investime online, i cili dyshohet se kishte viktima në më shumë se 50 vende të botës. Gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 100 serverë dhe janë arrestuar 7 persona, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë.
Operacioni përfshiu autoritetet e Shqipërisë, Qipros, Finlandës, Gjermanisë, Izraelit, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Hetimet drejtohen nga Prokuroria Publike e Itzehoe në Gjermani dhe synojnë një kompani të dyshuar për furnizimin e grupeve kriminale me platforma të rreme tregtimi dhe infrastrukturë teknologjike për mashtrimin e investitorëve.
Sipas hetuesve, kompania dyshohet se ofronte shërbime për grupe kriminale që operonin qendra telefonike, përmes të cilave kontaktonin viktimat dhe i bindnin të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha parash. Humbjet financiare të identifikuara deri më tani vlerësohen në mbi 4 milionë euro.
Nga hetimet katërvjeçare është zbuluar se kompania operonte duke ofruar platforma dhe mjete teknologjike për grupet kriminale. Hetuesit kanë identifikuar klientë të dyshuar që administronin qendra telefonike mashtruese në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Si funksiononte skema e mashtrimit?
Skema niste përmes reklamave online, të cilat premtonin fitime të shpejta dhe të konsiderueshme nga investimet në kriptomonedha, valutë të huaj apo aksione.
Personat që shfaqnin interes drejtoheshin drejt platformave që dukeshin si faqe legjitime investimi. Të dhënat e tyre personale më pas dyshohet se shiteshin te grupet kriminale, të cilat i përdornin për t’i kontaktuar përmes qendrave të thirrjeve.
Viktimat bindeshin fillimisht të investonin shuma të vogla. Në llogaritë e tyre online shfaqeshin fitime fiktive, me qëllim krijimin e besimit dhe nxitjen për të transferuar shuma gjithnjë e më të mëdha.
Kur kërkonin të tërhiqnin paratë, operatorët përdornin taktika vonese dhe pengonin kryerjen e pagesave. Në fund, ndërprisnin komunikimin, duke i lënë viktimat pa mundësi për të rikuperuar investimet.
Hetimi ndërkombëtar nisi në vitin 2022, pasi një çift gjerman denoncoi pamundësinë për të tërhequr paratë e investuara përmes një platforme online.
Pas këtij denoncimi, autoritetet zhvilluan disa operacione të përbashkëta. Ndërhyrja e parë në vitin 2022 çoi në dy arrestime dhe sekuestrimin e provave. Në vitin 2025 u zhvillua një tjetër aksion, gjatë të cilit u kryen arrestime dhe sekuestrime të tjera.
Analiza e materialeve të mbledhura gjatë këtyre operacioneve ndihmoi në identifikimin e kompanisë që dyshohet se furnizonte rrjetin kriminal me infrastrukturën e nevojshme për mashtrimet.
Në fazën e fundit, më 3 nëntor 2026, autoritetet kontrolluan 17 ambiente dhe sekuestruan më shumë se 100 serverë, pajisje dhe prova të tjera materiale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përmasat e rrjetit, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe numrin e saktë të viktimave.
/rtsh.al/