Leon Avdullahu mund të jetë njëri prej emrave më të kërkuar në afatin kalimtar të verës së ardhshme.
Sipas mediumit gjerman Fussballtransfers, Atletico Madridi e ka përfshirë mesfushorin kosovar në listën e objektivave për sezonin e ardhshëm.
Trajneri Diego Simeone është në kërkim të një mesfushori defensiv, me cilësi taktike dhe aftësi të mira në fazën mbrojtëse, profil që i përshtatet 22-vjeçarit të Hoffenheimit.
Interesimi i klubit madrilen nuk është i ri, pasi Atletico kishte tentuar ta transferonte Avdullahun edhe gjatë verës së kaluar, por Hoffenheimi kishte refuzuar ta lironte.
Klubi gjerman kishte paguar 8 milionë euro për transferimin e tij nga Baseli në vitin 2025, ndërsa aktualisht e vlerëson mesfushorin rreth 50 milionë euro.
Avdullahu ka regjistruar 48 paraqitje zyrtare me Hoffenheimin, me një gol dhe një asistim. Ai ka kontratë me skuadrën gjermane deri në vitin 2031.