Wednesday, 4. November 2026
Sport

Goditen dy raste të shitjes së kokainës dhe kanabisit në kryeqytet, sekuestrohen armë, doza droge e automjete

GS 04/11/2026 2 Min. Lesezeit

Një operacion i goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje ka çuar në pranga dy shtetas në kryeqytet. Operacioni i koduar “Variety” u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni erdhi “si rezultat i kontrolleve permanente, të kryera me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që lëvizin të armatosur ose transportojnë lëndë narkotike, me qëllim shitjen”. Gjatë ndërhyrjes u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. S., 36 vjeç, dhe I. S., 50 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit fizik, në banesë dhe në automjetin që 36-vjeçari drejtonte në rrugën “Njazi Meka”, shërbimet e policisë sekuestruan sasi dhe doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Policia bën me dije se “në automjet iu gjet 1 armë imituese e armës së zjarrit pistoletë, me zara metalikë”.

Ndërkohë, goditja e dytë u realizua në bulevardin “Zogu i Parë”, ku nga kontrolli në automjetin e drejtuar nga 50-vjeçari u gjet “sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, me qëllim shitjen”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma imituese, sasitë e lëndëve narkotike, automjetet dhe telefonat celularë të të arrestuarve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.

/rtsh.al/

 

Teilen: